Shoqata e Reaminatorëve të Kosovës në bashkëpunim me spitalin Amerikan kanë shënuar “Ditën Botërore të Rikthimit të Zemrës”, raporton Ekonomia Online.
Doktoresha e Anesteziologjisë, Antigona Hasani, në një prononcim për Ekonomia Online tha se qëllimi i këtij organizimi është vetëdijesimi i masës së gjerë në rikthimin e punës së zemrës.
“Së bashku me ish studentët e mijë tani me mjek të rinj ne kemi themeluar një shoqatë e cila ka për qëllim vetëdijesimin e popullsisë dhe masës së gjerë në rëndësinë e reaminimit kardiopulmunar respektivisht në rikthimin e punës ë zemrës te personat të cilëve ju ndërpritet puna e zemrës”.
Hasani i bëri thirrje të gjithë kalimtarëve të rastit që të marrin pjesë në këtë organizim nëpërmjet të cilit vetëm me anë të duarve mund të shpëtohet jeta.
“Sot nën përkrahjen e madhe të spitalit Amerikan ne jemi mbledhur këtu që të shënojmë këtë ditë që është 16 tetori “Dita Botërore e rikthimit të punës së zemrës”. Këtë ditë në shesh do t’i njoftojmë popullsinë, kalimtarët e rastit që të marrin pjesë në reaminimin kardiopulmunar e cila përbëhet prej kompresioneve të kafazit të kraharorit dhe frymëmarrjeve dhe si përfundim vetëm me anë të duarve ne mund të shpëtojmë një jetë”.
Sipas saj e rëndësishme është që deri të arrin ndihma e shpejtë vetëm me një masazh të kafazit të kraharorit mund të mbahet qarkullimi i gjakut dhe gjasat për të shpëtuar janë shumë të mëdha.
“Kjo është e rëndësishme se për arsye që të arrin ndihma e shpejtë nevojiten së paku 7-10 minuta në ndërkohë nëse dikush din të bëjë këtë masazh të kafazit të kraharorit atëherë derisa vjen ndihma e shpejtë mund ta mbajë qarkullimin e gjakut dhe gjasat për të shpëtuar ai pacient në rastin deri sa vjen ndihma e shpejtë janë shumë të mëdha se sa nëse rrimë duar kryq”.
Dita Botërore e Rikthimit të Zemrës po organizohet për herë të parë dhe në kuadër të kësaj ditë do të zhvillohen edhe aktivitete të tjera.
“Për herë të parë organizohet kështu qe ne do të ndërmarrim edhe aktivitete të tjera dhe nëpër shkolla dhe në institucione të ndryshme dhe jemi të interesuar që masa e gjerë të merret me këtë problematik dhe të aftësohet që të rikthej punën e zemrës”, tha ajo për Ekonomia Online.
Organizimi do të zgjasë deri në orën 14:00.