Kuvendi i Kosovës të enjten u bë arenë e përleshjes së qeveritarëve e deputetëve, në seancën që zgjati deri në orët e vona, raporton Ekonomia Online.
Gjithë këto zhvillime në organin legjislativ i kanë pa me shqetësim qytetarët që i quajnë këto veprime të turpshme madje thonë se “e gjithë bota po qesh me ne”.
Florije Selimi, tha se deputetët me veprimet e tyre janë të turpshme dhe paraqesin një pasqyrë të keqe për vendin, duke shtuar se të dyja palët kanë faj.
“Për Zotin ajo nuk është e mirë, nuk kemi lënë pasqyre të mirë as për ne, as për shtetin tonë si Kosovë veç që është shtet i formuar edhe me i bërë këto gjëra është turp. Për secilin që çdo gjë që ka bërë është turp. Nuk di me veçua asnjërin se këta thonë na, këta na, por dikush është fajtor, faji thonë një fjalë popullore është jetim. Kështu se nuk do të kish definua por nuk është në rregull as pak. Një pasqyrë shumë e keqe, duhet që të ju vije inati prej Serbisë shtetit fqinjë që i kemi me pa këtë ngjarje për disa njerëz intelektual që i kemi në Kuvend”.
Remzi Murturi thotë se e gjithë bota po qesh me neve. “Marre i’u qoftë të gjithëve”, shtoi ai.
“Shumë dobët e qeshin krejt bota me neve, krejt bota qeshin me neve. Marre për ta se këta PDK-ja e LDK-ja hajna janë, marre është për ta. Krejt bizneset i kanë mi veti LDK-ja e PDK-ja. Është turp nuk di çka të them tjetër. Marre për ta është a e keni parë gjuajti me shishe me ujë Albin Kurtin, pa fajshëm janë”.
Agron Bytyqi tha se veprimet e djeshme janë luftë për karrige. Ai madje ka një propozim interesant që serbëve t’u jepet në udhëheqje kryeministri sikurse bëjnë disa shtete në rajon, raporton EO.
Krejt kjo që sipas tij, mos të ketë probleme më me Serbinë.
“Për ngjarjen dje në Kuvend mendoj që kryesisht është konflikt për karrige, për të marr postin e kryeministrit cilido nga këta, qoftë nga opozita qoftë nga pozita. Edhe unë mendoj që ka ardhur koha që kryeministrin me ja dhënë serbe qysh ja ka dhënë Mali i Zi shqiptarëve edhe Maqedonia që ka me ja dhënë tash”.
“Dy kombet më të mëdha në Kosovë me qeverisë me Kosovë, njërin post me pas serbët, njërin post shqiptarët presidencën. Mendoj që do ta ketë më të lehët Serbia që ta njohë pavarësinë e Kosovës, ky është mendim i jemi si qytetarë. Liderët shqiptar kanë luftuar për karrige, janë kanë në gjendje që të shesin çdo gjë edhe vendin”.
Gjatë seancës në Kuvendin e Kosovës kishte përleshje fizike mes deputetëve dhe anëtarëve të Qeverisë, teksa opozita po kritikon pushtetin për shkak të publikimeve të disa përgjimeve ku është përfshirë deputetja Mimoza Kusari-Lila.
Fillimisht kryeministri, Albin Kurti u sulmua me ujë nga deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku, ndërkohë që zëvendës kryeministri Besnik Bislimi e gjuajti më pas Lushtakun me një shishe. Pas kësaj deputetët e PDK-së dhe minsitrat u përfshinë në rrahje masive.
U deshën orë që normaliteti të kthehej në sallën plenare, por edhe pas pauzës përsëri pati tensione në Kuvend, përderisa kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka mbajtur fjalimin e hyrjes së seancës, deputetë të opozitës kanë vazhduar të mbajnë të bllokuar foltoren.
Tensionet në Kuvendin e Kosovës vazhduan ku deputetët opozitarë kanë hedhur sërish ujë dhe shishe ndaj kryeministrit Albin Kurti.
Të pranishëm në seancë ishin edhe forcat e sigurimit.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet pas përleshjeve fizike në Kuvendin e Kosovës, midis deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe anëtarëve të Qeverisë së Kosovës.
Përleshja fizike mes deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga ana e opozitës dhe pozitës, është bërë krye temë e medieve botërore.