Në momentin kur edhe kaluan tre projektligjet për formimin e Ushtrisë së Kosovës, qytetarët e Kosovës dolën që të festojnë rrugëve të kryeqytetit.
Halil Kastrati, kryetar i shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, ka uruar qytetarët e Kosovës për formimin e Ushtrisë së saj, deri sa edhe tha se me këtë rast një familje po bëhet me kulm mbi kokë, raporton Ekonomia Online.
“Sot është ditë feste dhe më lejoni që përmes jush të iu uroj qytetarëve tanë kudo që janë formimin e ushtrisë së Kosovës, njëkohësisht ne shoqata “Jetimat e Ballkanit” kemi një mënyrë speciale të festimit, një ish – ushtar i UCK-së në një gjendje shumë të rëndë dhe pa strehim do i bëhet surprizë një banesë e re me rastin e kësaj dite. Ne po shkojmë atje të tek familja të ua tregojmë surprizën familjes dhe te ia japim çelësat në dorë tek banesa e re”, raporton EO.
E Afrim Gashi, një tjetër qytetar që kishte dalë ta festoj formimin e Ushtrisë së Kosovës, tha se tashmë më formimin e Ushtrisë së Kosovës, të rinjtë e kanë të drejtën që ti shërbejnë atdheut tashmë.
“Sot është dita kur do të krijohet ushtria e Kosovës, është dita kur deputetë shpallën ushtrinë që do ta njeh bota. Jam përjetues i asaj që paramilitarët na kanë heq prej shtëpive. Tash për mua është dita më e lumtur pasi që të rinjtë kanë ushtrinë e tyre dhe kanë të drejtën ti shërbejnë atdheu”, tha Gashi.
Dikush kishte ardhur edhe nga Norvegjia, për ta festuar këtë ditë.
Shabi Murseli, i cili me prejardhje është nga Shkupi tha se kjo ditë është ëndërr e gjithë shqiptarëve.
“Unë jam ardh nga Norvegjia në Shkup e prej Shkupit në Kosovë vetëm për këtë ditë që jemi gëzuar shumë. Kjo ka qenë ëndërr e shqiptarëve, jam ardhur vetëm për këtë ditë dhe prapë do të kthehem. Këtë ditë e kemi pritë qe shumë kohë por tash erdhi edhe koha e saj falë ushtrisë çlirimtare të Kosovës”, tha Murseli.
Për një qytetar tjetër, urimi i takon të kaluarës të cilët nuk po e përjetojnë këtë ditë.
“Rinia na kanë shkuar por kjo ditë do të paguhet pasi që është formuar ushtria, shpresoj që do të bashkohemi në një gjuhë të përbashkët. Urimi i takon të kaluarës që kanë shkuar e që nuk e kanë gëzuar këtë ditë”, u shpreh ai.
Qytetarët festuan menjëherë pas votimit të projektligjeve që bëjnë FSK-në të ketë mandat ushtarak.
Këngë e valle, ashtu siç e do tradita në ditë të veçanta, qytetarët u bënë pjesë e festimeve në kryeqytet.