Një numër i madh i qytetarëve ia kanë mësyrë barnatoreve të kryeqytetit. Shumica prej tyre po presin në rend për të blerë masat mbrojtëse për shkak të rrezikut nga Coronavirusi, raporton Ekonomia Online.
Ani pse kanë blerë dezinfektues e dorëza, disa qytetarë, ankohen për mungesën e maskave nëpër barnatore.
Mile Brovina, thotë se ani pse ka shikuar në disa barnatore, nuk ka pasur mundësi të gjejë maskë e cila është një nga masat mbrojtëse për tu mbrojtur nga infektimi me Coronavirus.
“Për momentin nuk ka asnjë maskë as nuk ka nëpër farmaci. Por nuk është ajo panik e madhe, fati që kemi kohën e mirë, edhe tubimet me qenë më të rralla edhe unë mendoj që nuk është aq rrezik sa është bërë panik e madhe. Natyre, mbledhje publike jo, maska nuk ka por preventiva është vitamina c, lëngjet të nxehta dhe asgjë. Janë ngritur çmimet, por nuk guxojnë të ngriten”, tha ajo.
Brovina, thotë se përveç në kryeqytet, maska nuk ka gjetur as në Gjakovë e as në Prizren.
“Në qytet nuk ka maska hiç, edhe në Gjakovë kam pyetur s’ka maska hiç edhe në Prizren s’ka maska. Edhe ato që kanë qenë më të thjeshta nuk ka me ble”, tregoi ajo.
Se ka mungesë të maskave e thotë edhe Lutfi Binaku. Ndonëse pa maskë, ai ishte kujdesur të blejë dorëza e alkool për dezinfektimin e duarve.
“Në barnatore bleva dorëza, bleva alkool edhe vitaminë C. Nuk vërejta se ka ngritje të çmimeve diçka për momentin. Maska jo se spat, mungese. Thanë që vijnë po nuk e di”, theksoi ai.
Sipas tij, me alarmin për rrezikun e mundshëm të Kosovës me Coronavirus është shkaktuar panik tek qytetarët.
“Sidomos nëpër markete është duke u vërejtur që ka panik”, tregoi ai.
Problemin e njëjtë me mungesë të maskave po e ka edhe Manushe Mataj. Madje ajo pati kritika për shtetin pasi nuk ofron kushte normale sidomos në raste të tilla kur situata është e jashtëzakonshme.
“Maska nuk ka, dezinfektues kemi marrë, përderisa kemi edhe fëmijë, dorëza po, po s’di qysh mundesh me u ruajt ashtu. Kjo është një epidemi që po merr jetë njerëzish por po merr jetë njerëzish si një grip i zakonshëm gjatë viteve tjera që ka qenë. Kjo u bë më e madhe se sa që është edhe po më duket se kjo ka ndikuar psikologjikisht te njerëzit negativisht që nuk po më duket në rregull”.
“Ne jemi një shtet i varfër edhe një shtet që edhe nuk ofron kushte normale edhe nuk ofron trajtim shëndetësor aq sa kemi nevojë edhe si duhet, e lërë më në këto situata të jashtëzakonshme”, tha ajo.
Mataj, ankesë pati edhe për rritjen e çmimeve si nëpër barnatore ashtu edhe për rritjen e çmimeve për gjërat ushqimore.
Ajo tha se me personat e tillë duhet të merret inspektorati e të dënohen, raporton EO.
“Çmimet kanë lëvizur enorm, çmimet janë të larta, shitësit pavarësisht gjitha barnatore, ushqimore në tregun këtu të komuna që është çmimet kanë shkuar enomr. Psh: një kg hudhra është 8 euro. Unë mendoj se inspektorati duhet me bë punën e vet me dal në teren vazhdimisht edhe me i dënuar ata shitës që luajnë me çmime, sepse populli edhe ashtu është në panik edhe jemi një popull i varfër edhe kjo nuk më duket normale”, tregoi ajo
Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, një ditë më parë ka deklaruar se do të fillojnë me inspektimin e farmacive në mënyrë që të parandalojnë rritjen e çmimeve të maskave dezinfektuese e materialeve të tjera.
Madje, edhe ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi për shkak të panikut të krijuar nga qytetarët për blerjen e ushqimeve dhe ngirtjes së çmimeve nga supermarketet dhe farmacitë.