Një qytetar nga Fushë Kosova ka reaguar përmes një shkrese drejtuar Ekonomia Online, ku ka dërguar edhe fotografi që tregojnë gjendjen e rënduar të shkollës fillore “Laura Scotti” në Graboc të Poshtëm, e cila ende nuk ka hapur dyert për nxënësit.
Ai ka akuzuar komunën dhe Drejtorinë e Arsimit për mosinvestim dhe keqmenaxhim, duke thënë se arsimi është lënë anash për shkak të interesave elektorale.
“Keqmenaxhimi në arsim – suksesi i vetëm i komunës! Në Fushë Kosovë kemi një ‘rekord’ të ri: e vetmja shkollë në komunë është mbyllur. Jo për shkak të mungesës së nxënësve, por për faj të Drejtorisë së Arsimit, që në vend të investimeve në kohë, është marrë me kalkulime elektorale. Mësimi i fëmijëve u sakrifikua për fushatë, sepse pushteti mendon se vota vlen më shumë se e ardhmja e brezave. Turp! Shkolla nuk duhet të bëhet pre e lojërave politike”, ka shkruar qytetari.
Në anën tjetër, drejtori i Arsimit në Komunën e Fushë Kosovës, Fatlum Berisha, në një përgjigje për Ekonomia Online tha se shkolla është duke u rinovuar dhe shumë shpejt do të hapet për nxënësit.
“Shkolla është duke u rinovuar. Ajo shkollë është ndërtuar që nga viti 2002 dhe që atëherë nuk është rinovuar. Tash jemi duke e bërë renovimin e tualeteve dhe brenda një jave besojmë se do të përfundojë renovimi dhe do të fillojë mësimi. Renovimi ka edhe një arsye tjetër, për shkak se në atë shkollë jemi duke e përgatitur që të jetë qëndrim tërëditor”, tha ai.


