Qytetari: “Unë votova, tani po fle gjumë!”

Prishtinë | 24 Tet 2025 | 15:13 | Nga Besa Ismaili Ahmeti

Janë disa qytetarë që e kanë kuptuar demokracinë si një ritual katërvjeçar, jo rrallë edhe dyvjeçar: shkon, voton, poston në Facebook se ka votuar, dhe kthehet në shtëpi për të pritur shpëtimin kombëtar nga televizioni dhe fle e sheh ëndërra se do të bëhet më mirë nesër.

Ai mendon se demokracia është vetëm votë, jo zë. Prandaj nuk bën zë.

Shikon, shan, ankon por i bindur që ata që votoi “do flasin për të” ai nuk bën zë. Duron. Duron. Duron. Dhe prap voton. Njësoj voton.

Kështu forma e re e pjesëmarrjes demokratike të këtij tipi të qytetarit është bërë heshtja, ndërsa indiferenca (“po i kqyri unë punët e mia”) është bërë vlerë qytetare. Siç!!!

Qytetari i tillë po e ngatërron demokracinë me aktin e votimit, jo me të drejtën për të kërkuar llogari, kundërshtuar dhe ndëshkuar.

Në Kosovë të gjithë janë bashkë kundër njëri-tjetrit. Partitë kundër njëra tjetrës, pushteti kundër shtetit.

Kësisoj, në vend të lidershipit politik ne kemi shumë liderë, në vend të planeve politike kemi konferenca për shtyp, në vend të ideve politike kemi slogane dhe në vend të zgjidhjeve kemi zgjedhje. Zgjedhje.

Kësisoj, krizat e moçme tani janë normalitete kombëtare.

Sepse siç po thotë z. Kurti, gjithçka është nën kontroll.

Vërtetë ashtu, është në kontroll gjithçka, kur asgjë nuk lëvizë. Asgjë.

Të ngjashme