Me një shumë prej 100 euro është dënuar sot një person pasi që me kamionetën e tij është zënë në flagrancë duke hedhur mbeturina të mbetjeve ndërtimore, në hapësirën e cila gjendet para stadiumit “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.
Gazeta Insajderi ka qenë prezent gjatë kohës derisa Inspektorati i Komunës së Prishtinës dhe Policia e Kosovës ka shqiptuar gjobën. Bekim Vitija, inspektor në komunë ka thënë për Insajderin se personi i cili është dënuar sot është i njohur për komunën.
“Ky person është i njohur për ne, shumë herë ia kemi tërheqë vërejtjen”, ka thënë Vitija për Insajderin.
Mirëpo i mllefosur ka qenë personi i cili është dënuar. Duke dashur të mos flas para kamerave, ai është shprehur se punën të cilën e bënë e ka për bukë dhe i mban nëntë anëtar të familjes.
Në këtë aksion të Komunës ka qenë prezent edhe Luan Hasanaj, drejtor ekzekutiv i Let’s Do It Kosova. Hasanaj është shprehur se personin në fjalë shumë herë e kanë e kanë parë duke hedhur mbeturina.
Kujtojmë se hapësira tek stadiumi “Fadil Vokrri”, është pastruar gjatë aksionit “Ta Pastrojmë Kosovën”, fushatë kjo e cila është mbajtur tre muaj.
Në këtë hapësirë po ashtu është ndaluar edhe tregu i rrobave i cili ka qenë ilegal që është zhvilluar cdo të martë. Ky treg është ndal nga Komuna e Prishtinës. /Insajderi.com