Shumica e ndërtimeve në Kosovë, duke përfshirë këtu ndërtesa banimi, qendra tregtare, por edhe ndërtesa qeveritare, u bënë pa plane urbanistike në 17 vjetët e fundit. Një trend i tillë, i ka shndërruar qytetet në kaos urbanistik, vlerësojnë ekspertë të fushës.
Të ndërtuar pa ndonjë planifikim dhe të ngritura edhe në zona ku kanë krijuar probleme, këto ndërtime, sipas ekspertëve, krijuan kaos duke mbyllur edhe perspektivën e zhvillimit të qyteteve.
Valdet Osmani nga Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se ndërtimet pa plane urbanistike ngufatën qytetet e Kosovës.
“Në Kosovë nuk mund të themi se ka planifikim urban, pasi që më shumë është planifikim derregullues dhe çrregullues, që ka dëmtuar qytetet tona dhe të ardhmen e shtetit dhe pothuajse fare nuk ka pasur as angazhim, as planifikim të mirëfilltë të qyteteve për planifikim hapësinor të Kosovës”, vlerëson Osmani.
Duke mos respektuar planet urbanistike, shton Osmani, u shkelën standardet e ndërtimit dhe kriteret e përcaktuara me ligj.
Në bazë të Ligjit, një objekt ndërtimi duhet t’i plotësojë kriteret minimale për mbrojtjen e shëndetit publik, sigurisë dhe mirëqenies së përgjithshme përmes rezistencës së nevojshme të strukturës së hapësirave të emergjencës, ekuilibrit dhe stabilitetit, e të tjera.
Kriteret tjera të një objekti që duhet të zbatohen, sipas arkitektit Valdet Osmani, janë edhe ndriçimi, standardet teknike të sigurisë, struktura mbrojtëse nga zhurma, siguria e jetës dhe pronës nga zjarri dhe rreziqet tjera.
“Të gjitha këto kritere hyjnë në pjesët teknike, të cilat pothuajse në shumë pak objekte janë zbatuar. Në mbi 90 për qind të objekteve të ndërtuara pas luftës, këto kritere nuk janë zbatuar”, thotë ai.
E, të gjitha këto dëme që u janë bërë qyteteve, në veçanti kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës, në të shumtën e rasteve, sipas ekspertëve të fushës nuk mund të riparohen. Por, ata theksojnë se mund të bëhen disa hapa që të mos degradohen këto qytete edhe më shumë.
Dukagjin Hasimja, ligjërues në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës thotë për Radion Evropa e Lirë se kohëve të fundit, komunat kanë vënë kriteret nga standardet e euro-kodeve, por këto kritere, siç thekson Hasimja, duhet të zbatohen nga kompanitë.
“Për të bërë një gjë të mirë, duhet të shkohet hap pas hapi, në pjesë të vogla me kompani të fuqishme të ndërtohet, jo një objekt, por disa objekte në sipërfaqe më të mëdha, dhe jo një objekt me qenë ndryshe e tjetri ndryshe. Një objekt të marrë leje ndryshe, e tjetri ndryshe. Pra, ka mundësi, por nevojiten investime të mëdha”, konsideron Hasimja.
Dëmi nga ndërtimi i këtyre objekteve pa plane urbanistike, thotë Valdet Osmani nga Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës, është i madh dhe i pariparueshëm në shumë raste.
Për këtë, shton Osmani, Kosovës i duhet një master-plan për të riparuar dëmet e shkaktuara gjatë këtyre 17 vjetëve.
“Është koha e rigjenerimit në njëfarë lloj moratoriumi, në shumicën e vendbanimeve të ndalohen zonat e ndërtimeve dhe të fillohet me riparimin e gabimeve, rimodelimi i qyteteve, në veçanti në Prishtinë, pasi që është e tejngarkuar dhe të fillohet rimodelimi i qyteteve ku të lejohet zona e ndërtimit në zona periferike, ku ka hapësirë ose tokë ndërtimore dhe të ndalohen objektet shumë të larta”, thekson Osmani.
Ndërtimet në qytete kishin marrë hov të madh pas luftës për të akomoduar banorët e shumtë, të cilët, në mungesë të punës dhe infrastrukturës elementare për jetë, kishin braktisur zonat rurale për t’u vendosur në qytete.
Aktualisht, kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, prin me ndërtimet, qoftë pa leje dhe mbi të gjitha me ndërtime të reja, në pothuajse secilën pjesë të saj.