Adrien Rabioti, i cili s’ka pranuar ta rinovojë kontratën me Paris Saint-Germainin, e ka pranuar se është në negociata me Juventusin, ndërsa e ka lënë të hapur derën për një transferim në Manchester United.
Siç qëndrojnë gjërat, mesfushori francez mund të shkojë te cilido klub që e do si transferim i lirë, pasi që nuk ka pranuar të nënshkruajë kontratë të re me kampionin e Ligue 1.
Kjo ka bërë që ai të ketë mbetur i izoluar në Paris Saint-Germain dhe nuk ka luajtur në asnjë ndeshje që nga 11 dhjetori i vitit 2018.
Megjithatë, Rabioti e ka dëshmuar talentin e vet në nivelin më të lartë dhe ai ka potencial të madh për t’u përmirësuar edhe më shumë pasi që është ende 24-vjeçar.
Ai mbetet një opsion tundues për disa ndër skuadrat më të rëndësishme në Evropë dhe ka ngjallur interesim te një numër i madh i klubeve.
Destinacioni i tij i radhës mund të jetë në Itali ose në Angli, pasi që kampioni i Serisë A Juventusi dhe Manchester Unitedi besohet se i kanë bërë oferta të mira francezit.
Rabioti e sqaroi situatën e tij aktuale në një intervistë me të përditshmen italiane, Corriere dello Sport.
“Kam folur me Juventusin. Është një klub i mrekullueshëm ku do të donin të luanin të gjithë. Mua më pëlqen shumë Italia, është e mrekullueshme këtu. Një sezon i madh po më pret”, ka thënë Rabioti.
“Juventusit? Juventusi më ka shikuar dhe ne kemi folur për këtë mundësi, por nuk mund të them asgjë tjetër”.
“Manchester United? Është e njëjta si vitin e kaluar, unë duhet të vendos. Jam në pushime për momentin. Së shpejti do ta merrni vesh”.