Raci për takimin Kurti – Vuçiq: Është moment kritik për të ardhmen euroatlantike, marrëveshja do jetë në dorën e deputetëve

Prishtinë | 27 Shk 2023 | 14:30 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Analisti politik, Gazmir Raci e konsideron propozimin e Bashkimit Evropian si rrugë drejt anëtarësimit në NATO e BE. Ndërsa për mungesën e transparencës në dialogun Kosovë-Serbi, Raci e arsyeton me raportet jo të mira ndërmjet dy shteteve, raporton Ekonomia Online.  

Në një intervistë për Ekonomia Online, Raci ka thënë se marrëveshja potenciale do të jetë në fund në dorën e deputetëve, për shkak se kërkohet ratifikimi në Kuvendin e Kosovës.

Ish-këshilltari i kryenegociatorës për dialogun Kosovë-Serbi, Edita Tahiti, ka folur edhe për marrëveshjet që përmban ky plan, teksa e ka quajtur moment kritik për të ardhmen e Kosovës euroatlantike.

Raci mendon se raporti që ka Kosova me Serbinë i pamundëson Qeverisë të jetë transparente në dialog.

“Kosova para disa dite i ka thënë po propozimit konkret të Bashkimit Evropian që dikur njihej si plani ‘franko-gjerman’. Është moment kritik për të ardhmen tonë euroatlantike që ne duhet të jemi në koherencë të plotë me kërkesat e faktorit ndërkombëtar në mënyrë që të kalohet kjo fazë momentale dhe t’i hapet perspektiva Kosovës drejtë anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Negociatat të tilla ndërkombëtare nuk mund të jenë transparente në maksimum për shkak të sensitivitetit që ka procesi. Duke pasur parasysh problematikën dhe raporteve jo të mira mes Kosovës dhe Serbisë gjithmonë në kuadër të këtij dialogu ka pas një problem me transparencën e procesit në përgjithësi”, tha Raci.

“Kryesorja është që çfarëdo që mund të merren vesh sot në Bruksel, ai dokument duhet të kalojë edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Aty janë përfaqësuesit e popullit të cilët në fund të fundit do t’i thonë po ose jo propozimit të Bashkimit Evropian”, tha tutje ai.

Raci ka thënë se në këtë plan, janë edhe çështje tjera, si marrëveshja për energjinë, targat e strukturat paralele. Thotë se shumë prej këtyre marrëveshjeve nuk janë zbatuar nga ana e Serbisë.

“Sot në tavolinë është vetëm një dokument, është propozimi i Bashkimit Evropian për zgjidhjen finale. Në këtë fazë nuk kemi dy marrëveshje ndaras, kërkesa e Kosovës dhe insistimi i kryeministrit Kurti deri tani ka qenë që të diskutohet vetëm për planin konkret të propozuar nga Gjermania dhe Franca dhe tashmë ajo po bëhet. Në kuadër të atij plani janë po ashtu zotimet e të dyja palëve për të zbatuar të gjitha obligimet që dalin nga dialogu i Brukselit, e aty nuk është vetëm asociacioni, aty është edhe marrëveshja për energjinë, aty janë edhe targat që ende janë problem, aty janë edhe strukturat paralele që duhet të çmontohen nga ana e Serbisë. Pra, janë një grumbull i marrëveshjeve që nuk janë zbatuar nga Serbia”, ka thënë Raci. 

Të ngjashme