Reciprociteti i vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj Serbisë për letërnjoftim është pjesë e marrëveshjes mes dyja vendeve e arritur në vitin 2011, thotë Gazmir Raci, ish-këshilltar i kryenegociatores së Kosovës për dialog, Edita Tahiri, raporton Ekonomia Online.
Ai për Ekonomia Online, ka thënë se këto marrëveshje janë ratifikuar në Kuvend, dhe si e tillë është e obliguar t’i zbatojë.
“E dyta që është shumë e rëndësishme, Kosova e ka ratifikuar marrëveshjen më normalizim në 2018-ën, si marrëveshje ndërkombëtare dhe të gjitha ato zotime Kosova është e obliguar që t’i zbatojë, dhe tash mbetet tek kjo Qeveri që t’i rishikojë në ato fusha që ajo mendon që nuk janë në rregull”, tha ai.
Sipas Racit, marrëveshja e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ishte aplikuar vetëm nga Kosova, duke përjashtuar vetëm Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Të gjitha këto marrëveshje që po diskutohen tani, janë marrëveshje që nuk i ka zbatuar Serbia. Kosova nuk e ka zbatuar vetëm Asociacionin e komunave me shumicë serbe, këto tjerat janë marrëveshje që ka dështuar Serbia për t’i zbatuar, pra Kosova nuk ka pasur çka të humb apo të fitojë”, tha Raci.
“Po ashtu ka deklaruar se nuk e ka prioritet dhe në bazë të programit qeverisës nuk është ndër prioritetet që i ka Kosova edhe në praktikë ashtu po shihet sepse mos të harrojmë që për një vit e gjysmë, kemi vetëm dy zgjidhje që janë arritur në këtë kohë, pra i bie që kryeministri Kurti nuk e ka pasur fokusin dhe nuk e ka trajtuar dialogun me prioritet që është qëndrim dhe qasje e re në dialog. Ai nuk ka premtuar që dialogu do të jetë top prioritet i tij, që në praktikë ashtu po ndodh. Tash për shkak të gjendjes gjeopolitike, luftës në Ukrainë ka ndryshuar rrethanat dhe besoj që edhe Qeveria e Kosovës, duhet të përformojnë në kuadër të këtij ndryshimi gjeopolitik që po ndodh në botë, që i bie që ne Kosova, ta zgjidhë problemin me Serbinë me njohje reciproke”, tha Raci.