Ud.drejtoresha e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar Pranvera Zejnullahu-Raçi ka dal me një urim për festën e Vitit të Ri.
Raçi ka postuar në profilin e saj duke bërë ‘tag’ faqen zyrtare të SHSKUK-së, ku ka thënë se spitalet publike do t’i bëjnë si shtëpi për pacientët, transmeton Gazeta Shneta.
“Qëllimi kryesor i secilit prej neve do të jetë krijimi i një ambijenti ku pacientet i bënë të ndihen si në shtëpi e jo në spital. Falenderoj nga zemra gjithë stafin mjekësor dhe atë mbeshtetës për punën e palodhshme në 2022”, ka shkruar Raçi.
Këtij urimi ia ka vënë pikën një paraardhës i Raçit në pozitën e drejtorit të SHSKUK-së.
Curr Gjocaj e ka çuar në qiell me lavdata kolegen e saj gjinekologe, duke thënë se është njeriu i qëlluar për pozitën që e mbanë. E në fakt kjo nuk është hera e parë që Gjocaj jep lavdata publike për Raçin.
“Shëndet, mbarësi, sherim e përkujdesje sa ma cilësore për pacintet tanë dhe me suksese të reja e të pandalshme për SHSKUK-në nën drejtimin tuaj Drejtoresha Pranvera, njëri i qëlluar, me dije e përkushtim, energjike, dhe e gatshme për t’u përballur me të gjitha llojet e sfidave qe ka sistemi e edhe ma shumë me “minimet” e nderskamcat nga zemërkëqijtë, mëkatar e parazitë që veç për prapësi janë të prirur e fatkeqësisht nuk jon pak”, ka shkruar Gjocaj.
Kujtojmë se Gjocaj kishte dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit të SHSKUK-së në vitin 2017 pas skandalit me rastin e vdekjes së disa pacientëve që dyshohej të ketë ndodhur nga oksiduli.