S’e kisha ditur kaq qartë, por edhe luftërat ishin diskriminuese ndaj njëra tjetrës. Edhe fatkeqësitë njërëzore, si luftërat, po e shikojshin me inat njëra tjetrën, kinse kush je ti që të jesh më e vlefshme se unë? Tragjedia ime është më me peshë, jeta e njerëzve të mi më e vlefshme se ato tuajat. Po, luftërat në vetvete ishin raciste. Duke qenë të tilla, ato nuk ishin më shumë se reflektim i natyrës njerëzore e cila, në raste të tilla, e jo vetëm të tilla, është gjithashtu shpesh…raciste.
Lufta në Ukrainë ka thithur pothuaj tërë vëmendjen e opinionit publik botëror. Mediat janë përqendruar thuaja plotësisht aty. Në terrorizmin gjeopolitik të Moskës, në mbrotjen heroike të ukrainasve, në valën e trishtë të refugjatëve që po vërshojnë Evropën. Them ”opinioni publik botëror”, por e kam fjalën kryesisht për opinionin publik perëndimor. Se edhe kjo qasje Perëndim-centiste është, në vetvete, raciste.
Papritmas, luftërat e tjera kanë rënë në heshtje. Nuk mund të ngarendin me këtë evropianen. Pa çka që sot konflikti më vdekjeprurës është në fakt ne Etiopi, ku mendohet se në më pak se dy vite kanë vdekur diku gjysmë milion njerëz. Në Jemen e Siri, miliona njerëz vazhdojnë të jenë të kërcënuar nga lufta rraskapitëse. Në Birmani, më se 50 milionë njerëz jetojnë në kushte lufte e nën juntën ushtarake. Pastaj, kush ka kohë sot të mirret me Afganistanin e Talibanit? E kështu me radhë. Por vëmendja jonë është e cekët, selektive. Dhe, për rrjedhojë, raciste.
E di, e di. E kuptoj peshën tektonike, gjeostrategjike (e të tilla fjalë seksi) të luftës në Ukrainë. Por kjo nuk e bën luftën si luftë më pak diskriminuese ndaj lufërave simotra. E as neve. Shih reagimin evropian ndaj refugjatëve. Kjo Poloni, Çeki e Hungari që sot hapë dyert për refugjatët ukrainas (gjest vërtet human), deri dje kthente shpinën e dëbonte refugjatët që vinin nga Siria, Afganistani apo Somalia.
Ndoshta nuk ka si të jetë ndryshe. Ndoshta është normale që të na dhimbset më fort ai që është më afër nesh. Se edhe hipokrizia është njerëzore, apo jo? Vetë Kofi Annan pati thënë që po të mos ishte për Bosnjën, gjenocidi në Ruandë mbase nuk do të ndodhte. Kjo sepse të dy luftërat kulmuan në të njëjtin vit (1994), dhe vëmendja që tërhiqte Bosnja nuk linte shumë hapësirë për Ruandën. Ta hajë dreqi, edhe Kosova më në fund ”përfitoi” nga kjo vëmendje, më 1999. Na u desh të presim gjatë në rend, por na erdhi momenti edhe neve. Dhe s’do mend se konflikte të tjera simotra na shikonin me mëri kur na erdhi radha neve!