Radioja publike e Suedisë, “Sveriges Radio”, ka raportuar se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të jetë ndër të ftuarit për intervistim nga Gjykata Speciale në Hagë.
Në artikullin e kësaj radioje thuhet se Thaçi mund të jetë një nga personat që do të jetë cak i kësaj gjykate, pasi gjatë luftës në Kosovë ai ishte pjesë udhëheqëse e UÇK-së, i njohur me nofkën “Gjarpri”.
“Vet Presidenti Thaçi është një nga personat që mund të jetë subjekt i Gjykatës në Hagë”, shkruan kjo radio në një artikull, transmeton Koha.net.
Kjo informatë, megjithatë, thotë “Sveriges Radio”, nuk është konfirmuar ende nga Gjykata.
Gjykata ka nisur t’u dërgojë ftesa ish-luftëtarëve të UÇK-së, e ndër ta janë Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa, Ramiz Shala, Safet Syla, Sokol Dobruna, Nazif Mehmeti, e të tjerë.
Radioja më tej thotë se hetimi i krimeve të dyshuara nga ta ka qenë i vështirë. Thotë se pak prej tyre kanë guxuar të dëshmojnë dhe ata që kanë dëshmuar, në shumë raste – pas presioneve –kanë ndryshuar dëshmitë.
Në të njëjtën kohë, “Sveriges Radio” thotë se shumë kosovarë konsiderojnë se gjykata e re është thellësisht e padrejtë pasi që merret vetëm me krimet që dyshohet se janë kryer nga njëra palë në luftë.