Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, pas seancës gjyqësore ku u diskutua procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, ka deklaruar se ky proces nuk ka shkuar në përputhje me ligjin dhe direktivat evropiane, ndërsa ka theksuar se bizneset janë dëmtuar materialisht nga veprimet e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), raporton Ekonomia Online.
“Ishin fakte të pa qëndrueshme për mendimin tonë. Ne argumentuam të kundërtën para trupit gjykues që procesi i liberalizimit të energjisë elektrike nuk ka shkuar në mënyrë si duhet sipas parimeve dhe principeve që i njeh jo vetëm ligji që është në fuqi në Kosovë, por edhe direktiva e BE për liberalizimin e tregut. Ne patëm mundësi që me argumentu, edhe nga pjesa ligjore se si nuk kanë qenë aktet ligjore në rregull në përputhje me dispozita ligjore, po ashtu edhe procesi i liberalizimit. Njoftimi i ZRRE-së ka shkaktuar efekt material në ndikim negativ të biznesit dhe si ka dëmtuar bizneset. Kemi besim të plotë në trupin gjykues që do t’i shqyrtojë të gjitha provat dhe faktet dhe do ta sjellë një vendim të drejtë që do t’i mbrojë bizneset dhe ekonominë e Kosovës,” tha Rafuna.
Avokati i OEK-ut, Ekrem Hoxha, gjatë seancës ka argumentuar se procesi i liberalizimit të tregut nuk ka respektuar ligjin dhe direktivat evropiane, duke shkaktuar dëme materiale për komunitetin e bizneseve. Ai ka theksuar se vendimet e ZRRE-së kanë favorizuar operatorë të caktuar privatë dhe nuk kanë garantuar konkurrencën reale dhe furnizimin e duhur me energji elektrike për konsumatorët.