Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka folur për disa nga trendet e fundit ekonomike në vend, me ç’rast shprehi disa nga shqetësimet e Odës.
Ai, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se sanskionet e BE-së ndaj Kosovës, përveç dëmëve direkte, kanë sjellur edhe dëmtim imazhi për shtetin dhe kanë përçuar një mesazh të keq te investitorët e huaj.
Rafuna tha se nga këto masa janë dëmtuar shumë kompanitë e qytetarët, me ç’rast përmendi fondin e fundit të BE-së për digjitalizim, “ku të gjitha vendet e rajonit e morën hisen e vet, ndërsa Kosova u përjashtua nga kjo e drejtë”.
Ai po ashtu e ka cilësuar si “alarm për Qeverinë” rritjen e deficitit tregtar dhe të hyrave në doganë. “Ne si Odë nuk mburremi me të hyrat që vijnë nga dogana, por me të dalat”, është shprehur ai për këtë çështje, duke kërkuar më shumë vëmendje nga Qeveria për rritjen e prodhimit vendor.
“Masat ndëshkuese që i janë vendos Kosovës e kanë dëmtu Kosovën në dy fusha. E para, në çështjen e imazhit, nuk ka qenë imazh i mirë, nuk ka qenë mesazh i mirë, për investitorët e huaj dhe e dyta është në aspektin material, ku kompanitë tona kanë pësu, kanë pësu edhe qytetarët e Republikës së Kosovës”
Në muajt në vazhdim të këtij viti, Rafuna tha se do ketë edhe fonde të tjera dhe nëse Kosova vazhdon kështu, do t’i humbasë edhe ato.
“Kishim rastin e Fondit për Digjitalizim, ku të gjitha vendet e rajonit e morën hisen e vet, ndërsa Kosova u përjashtua nga e drejta për ta shfrytëzu atë hisen e vet që i takon në Fondin e Digjitalizimit. Tani po hyjmë në muajin shtator, tetor dhe nëse këto masa na mbesin në fuqi dhe veprohet siç është vepruar me këtë fond, atëherë ne do të përjashtohemi edhe prej fondeve të tjera dhe kështu që më së shumti do të pësojnë kompanitë tona”, ka thënë Rafuna.
E sa i përket rritjes ekonomike për këtë vit, kreu i OEK-ut parashikon se ajo do të sillet rreth 3.5 deri 4 për qind, të cilën e ka cilësuar si normale e jo diçka të jashtëzakonshme.
“Rritjen ekonomike Oda e Ekonomike e Kosovës që e parasheh është e njëjtë me atë që e sheh Banka Botërore, Fondi Monetar dhe institucionet e tjera financiare, kredibile që bëjnë vlerësime, rritja do të sillet deri në fund të vitit mes 3.5 deri në 4. Kjo është pak a shumë në pritjet tona ”.
Siç është shprehur tutje ai për EO, deficiti tregtar është një tregues se Qeveria duhet ta hartojë një politikë të mirë fiskale e cila motivon prodhimin vendor.
“Deficiti tregtar është shqetësues, domethënë rritja edhe thellimi i deficitit, rritja e importit si në vlerë si në sasi, rënia e eksportit që kishim këta dy muajt e fundit, është shumë shqetësuese.
“Ky është alarm për qeverinë e Republikës së Kosovës të përqendrohen dhe të hartojnë një politikë të mirë fiskale, që i ndihmon më shumë prodhimit tonë, në mënyrë që të kemi më shumë eksporte dhe ta ulim deficitin tregtar”, u shpreh kreu i OEK-ut.
Ndërsa, për rritjen e të hyrave nga Dogana, ai ka thënë se Oda Ekonomike e Kosovës nuk krenohet me to, pasi që kërkesë e vazhdueshme e tyre është rritja e prodhimit e eksportit.
“Sa i përket të hyrave është vetë vlera e inflacionit, vetë importimi i sasisë më të madhe që e ka sjellë edhe rritjen e të hyrave në doganë, mirëpo ne si Odë nuk mburremi me të hyrat që vijnë nga dogana”.
“Ne mburremi me të dalat në rritjen e eksportit dhe me mbulimin e mallrave të importuara me prodhime vendore. Kështu që për neve çdo e hyrë më e madhe që vjen në doganë, paraqet shqetësim, jo në kuptim pozitiv. Ne si Odë Ekonomike insistojmë që të kemi sa më shumë prodhim dhe të gjitha kërkesat tona ndaj të gjitha institucioneve të vendit është që të kemi sa më shumë prodhim dhe sa më shumë eksporte që të kemi sa ma pak importe të mallrave nga vende të tjera dhe sjelljes së parasë së gatshme jashtë Kosovës”, ka thënë ai pēr EO.