Oda Ekonomike e Kosovës ka bërë kallëzim penal ndaj kryesuesit dhe anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për moszbatim të vendimit të Gjykatës Supreme rreth liberalizimit të tregut të energjisë.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë se bizneset janë rekomanduar që ta padisin ZRRE-në për shkaktimin e dëmit.
Ai ka shtuar se Supremja e ka bërë të qartë se çështja e liberalizimit të tregut është kthyer në pikën zero, çka nënkupton kthimin e bizneseve në shërbimin universal.
“Gjykata Supreme nuk është lëshu fare te njoftimet, thotë se ky nuk është akt administrativ dhe nuk kemi çka merremi me të, që nënkupton se ty të ka kthy në pikën zero. Kjo ka qenë kërkesa jonë, ktheji bizneset në shërbimin universal, përgatite bazën ligjore siç ka rekomanduar Supremja, përgatite konkurrencën. Pas kallëzimit penal, se si Odë i kemi rekomanduar bizneseve që e gëzojnë të drejtën ligjore që ta paditin ZRRE-në për shkaktimin e dëmit dhe kthimin e pagesave më të larta sesa që kanë paguar në shërbyes universal”, ka thënë ai në “60 Minuta” në KTV.
Rafuna ka theksuar se ZRRE-ja ka dëmtuar klimën e të bërit biznes në Kosovë me veprimet e shpejta që ka marrë ndaj bizneseve.
“ZRRE-ja me këto veprime e ka dëmtuar klimën e të bërit biznes në Kosovë, ambientin miqësor të bërit biznes. E para përmes veprimeve shumë të shpejta dhe vendimeve që t’i nxjerr, ka pasur raste kur me Polici kanë shkuar dhe ua kanë ndërprerë energjinë elektrike, dhe ato menjëherë kanë reaguar. Ky është imazh jo i mirë për investitorët e huaj. E dyta, ngritja e çmimit të energjisë”, deklaroi ai.