“Një mal” akuzash për keqpërdorime milionëshe ka bërë kreu i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, në drejtim të kryetarit të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Ragmi Mustafi, të cilin e fajësoi për keqpërdorimin e 1.2 milionë eurove të buxhetit të Kosovës.
Për keqpërdorimin e mjeteve të ndara nga Qeveria e Kosovës për Preshevën, Arifi sot dorëzoi kallëzim penal në Prokurorinë Speciale në Prishtinë.
“Unë si kryetar i Këshillit sugjeroj që (Shqipërim Arifi) sa më shpejt të vizitojë psikiatrin dhe t’ia përcaktojë diagnozën. Asgjë të vërtetë nuk ka në pretendimet e tij”, deklaroi Mustafi për Front Online.
Sipas Mustafit, akuzat që po i bënë Arifi është vetëm për të përfituar hapësirë mediale në Kosovë.
“Sa i përket mjeteve të cilat ai pretendon për keqpërdorim, nuk ka asnjë. Përderisa këtë ai po e bën për të përfituar hapësirën mediale në Republikën e Kosovës, për të promovuar egocentrizimin e tij”, u shpreh Mustafi.
Ai thotë se me 1.2 milion euro të Qeverisë së Kosovës janë financuar rreth 78 projekte.
“Mjetet e Qeverisë së Kosovës janë në kuadër të programit qeveritar përkatësisht, ndihmës së buxhetuar nga Qeveria e Republikës dhe Parlamenti i Republikës së Kosovës, e që nënkupton që me 1 milion e 200 mijë euro janë financuar diku 78 projekte të ndryshme, përkatësisht duke filluar nga 107 bursa për studentë, janë financuar projekte që kanë të bëjë me shkolla sportive, janë financuar projekte që kanë të bëjnë me arsimin, kulturën, informimin, me iniciativa që jetësuar tek të rinjtë, dhe njëkohësisht të gjitha mjetet të cilat janë akorduar për zhvillimin e veprimtarive të tyre, këto kanë të bëjnë më ruajtjen, mbrojtjen dhe avancimin e identitetit kombëtarë e kulturor të shqiptarëve në Luginë të Preshevës”, u shpreh Mustafi për Front Online.
Mustafi në fund thotë se janë të gatshëm të përballen edhe me Gjykatat në Kosovë, ashtu siç kanë bërë disa herë në Serbi.
LEXO EDHE: