Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, është shprehur i pakënaqur me Projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2024. Ai për Ekonomia Online, ka thënë se buxheti nuk i plotëson nevojat e qytetarëve.
Latifi thekson se Qeveria Kurti nuk i përkrahur projektet aktuale dhe ato të reja që janë jetike për këtë komunë. Kritikën e ka për ulje të buxhetit për investime kapitale, teksa kritikën e vë edhe te bartja e mjeteve nga viti në vit.
Duke folur për investimet që bëhen në këtë komunë, Latifi shprehet skeptik se ato do të përfundojnë, për shkak të prolongimit të proceseve.
Latifi që vjen nga partia e AAK-së, ka përmendur një mori projektesh që nuk janë përkrahur, ndërsa thotë se projektet që janë mbështetur, kanë mjete të pamjaftueshme.
“Ne e kemi lexuar me vëmendje projektligjin për ndarjen buxhetore për vitin 2024 si dihet ai ka kaluar në Qeveri tash edhe në lexim të parë në parlament dhe ajo që kemi parë, Rahoveci përfiton vetëm dy projekte të reja nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport. Në fakt një projekt që tash veçse është i kontraktuar dhe kanë filluar punimet që është Qendra për Kulturë Rini Art dhe Inovacion që mbështetet nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport si edhe është hap kodi për ndërtimin e stadiumit të qytetit një temë e kahershme por nuk ka ndodhë asgjë, janë anuluar memorandumet përpara dhe tash pritet nga viti i ardhshëm të ndërtohet stadiumi”, thotë Latifi.
Kreu i Rahovecit thekson se edhe financimi i projekteve që bëhet nga Qeveria Kurti nuk mjafton dhe se për këtë arsye po vonohen punimet. Ai ka përmendur disa rrugë dhe ndërtimin e shkollës e çerdhes, për të cilat thotë se nuk po përkrahjen, ndonëse janë premtuar.
“Projekte të reja nuk kemi por kemi edhe kontrata të cilat financohen nga Qeveria e Kosovës e që kanë buxhet të pamjaftueshëm si për shembull rruga me katër korsi, vetëm 600 mijë euro ndërkohë që ky projekt ka filluar të realizohet para tre vjetësh dhe mesazhi nuk është i mirë sepse është dashur të buxhetohet më shumë në mënyrë që të dinamizohen aktivitetet të përmbyllën punimet rruga katër korsi Rahovec-Xërxe, nga Qeveria e Kosovës është i viti i tretë sepse që dy vite buxhetohet ndërtimi i një çerdheje për fëmijë në qytet si edhe ndërtimi i shkollës fillore ‘Milam Krasniqi’ është nënshkruar kontrata për ndërtimin e kësaj shkolle por ende nuk kanë filluar punimet pra që dy vite buxheti vetëm është bart nga viti në vit pra që janë dy vite të humbura ngjashëm edhe më çerdhen për fëmijë në Rahovec që të dyja këto duhet të financoheshin nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë dhe Inovacionit”, thotë Latifi.
Kreu i Rahovecit thotë se qasja armiqësore e ekzekutivit me komunat nuk i bën nderë askujt. Ai thotë se komuna që ai e drejton ka 191 mijë euro më pak këtë vit.
“Marrëdhënia mes Qeverise Qendrore dhe Pushtetit Lokal komunave të Kosovës duhej të ishte marrëdhënia e ngushtë me një partneritet miqësor dhe duhej të ishin përkrahur shumë sepse me komuna të forta edhe shteti është i fortë por marrëdhënia jomiqësore me Komunat e Kosovës nuk besoj që është në nderin e asnjë Qeverie as të Kurtit por po mendoj që edhe komunat nga VV-ja nuk është që po përkrahen me buxhet ndërsa kjo rritja që po proklamohet shumë për komuna nga 2 milionë e 266 mijë euro nga që kemi rritje për vitin 2024, 1 milion 923 mijë euro janë për paga nuk behet fjalë për rritje reale por për rritje nominale, pra nëse komuna jonë ka 191 mijë euro më pak për investime kapitale aty ku ka kushte për zhvillim për shembull komuna e Deçanit ka 700 mijë euro më pak ose komunat tjera pra nuk ka rritje të investimeve kapitale kjo rritje e buxhetit shkon në buxhet për pagë”, ka deklaruar Latifi për EO.