Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ka takuar në urën e Ibrit krerë të Listës Serbe, me të cilët ka shëtitur nëpër rrugët me shumë flamuj dhe me simbole serbe në veri të Mitrovicës.
Ai ka vizituar edhe urën, e cila vazhdon të mbetet e mbyllur për qarkullim të automjeteve, ndërkohë që kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, i ka thënë atij se ura nuk do të hapet pa u definuar kufiri në mes të veriut dhe jugut, sipas pikës 5 të Marrëveshjes së Brukselit, shkruan Gazeta “Zëri”.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, ka qëndruar të shtunën në veri të Mitrovicës. Ai është pritur në urën kryesore të Ibrit nga krerët e Listës Serbe, nga kryetari Goran Rakiq dhe nga nënkryetari Igor Simiq, për ta vazhduar pastaj bashkërisht të shëtisin rrugëve me plot flamuj e simbole serbe përtej urës, e cila edhe më tutje vazhdon të mbetet e mbyllur për qarkullim të automjeteve.
Madje ambasadori Kosnett ka marrë konfirmimin dhe zotimin e Rakaiqit se ura e Ibrit nuk do të hapet derisa të definohet kufiri në mes të dy komunave e që sipas Rakiqit kjo është e precizuar në pikën 5 të Marrëveshjes së Brukselit. Ambasadori Kosnett është ulur pastaj bashkë me Rakiqin e me Simiqin për të pirë kafe në kopshtin e një kafeneje, nga e cila dëgjohej muzikë serbe dhe valonin flamujt e Serbisë. Pa asnjë simbol të shtetit të Kosovës në atë pjesë ambasadori Kosnett nuk ka shfaqur ndonjë shenjë entuziazmi dhe nuk ka folur shumë.
Në një komunikatë të Listës Serbe të dërguar medieve në veri të Mitrovicës thuhet se ambasadori amerikan është pritur në urën kryesore të Ibrit dhe se vizita në veri është bërë me kërkesë të Listës Serbe.