I ashtuquajturi “shtab i krizës” sot është takuar dhe ka folur rreth formimit të Ushtrisë së Kosovës, raporton KTV.
Pas mbledhjes së “shtabit” ka folur kryetari i “shtabit”, prefekti në dorëheqje i Mitrovicës veriore dhe kryetari i Listës Serbe Goran Rakiq.
Ai ka thënë se “me formimin e Ushtrisë u shkel më se shumti rezoluta 1244 e KS të OKB-së pasi ajo thotë se e vetmja forcë e armatosur në këtë pjesë është KFOR-i “.
Rakiq në emër të shtabit të krizës dhe të 4 komunave veriore u ka bërë thirrje serbëve të përmbahen pavarësisht a jetojnë në jug a veri.
“Nuk jemi vetëm, sepse Serbia është me ne dhe presidenti shpesh e ka përsëritur se nuk do të lejojë sulme ndaj popullit serb në Kosovë”, ka thënë Rakiq.
Ai e “ka porositur Prishtinën e bashkësinë ndërkombëtare se serbët nuk do te biem në provokime por do të luftojmë për paqe”.
“Nuk frikësohemi të rrimë këtu dhe këtë vendim në Prishtinë u shkel rezoluta 1244. Për ne vendimi është i papranueshëm dhe e refuzojmë. Ai nuk ka kurrfarë fuqie dhe ato forca nuk kanë ç’të kërkojnë në veri”, është kërcënuar Rakiqi dhe ka shtuar:
“Vendimi i sotëm tregon se Prishtina nuk do paqe në këtë territor. Ata e sulmuan paqen. U bëj thirrje qytetarëve të mos bien në provokime, por edhe të zgjohen nëse do të ketë kërcënime dhe do të mbrohemi me duart tona për të drejtën tonë”.