Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka takuar komandantin e ri të KFOR-it në Kosovë, Gjeneral Major Angelo Michele Ristuccia.
Sipas njoftimit të Rakiqit, siç raporton agjencia serbe e lajmeve “Beta”, në takim thuhet të jetë diskutuar për riregjistrimin e veturave me targa ilegale serbe në Kosovë, afati i fundit i përdorimit të të cilave përfundon më 31 tetor.
Ai ka thënë se komandantit të KFOR-it i ka thënë se serbët nuk do t’i zëvendësojnë targat e përdorura deri më tani me targa të Republikës së Kosovës.
“Është dërguar mesazh i qartë se serbët nuk do të heqin dorë nga targat që kanë përdorur deri më tani, sepse janë të ligjshme dhe legjitime dhe se ekziston një shqetësim i arsyeshëm për reagimin e mëtejmë të Prishtinës në këtë drejtim”, tha ai.
Ai vlerësoi se “gjendja e sigurisë është e paqëndrueshme” dhe se, siç shtoi ai, duhet bërë gjithçka që çështjet e hapura të Kosovës dhe Serbisë të zgjidhen ekskluzivisht përmes dialogut.
Ai i kërkoi KFOR-it të sigurojë paqen dhe stabilitetin dhe të “bëjë gjithçka për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes”.
Marrëveshja e Brukselit për lirinë e lëvizjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u arrit në vitin 2011 dhe parashikonte që në Kosovë të përdoren vetëm targat RKS (Republika e Kosovës) ose KS (Kosovë, status neutrale). Këto të fundit janë hequr nga përdorimi që nga shtatori i vitit të kaluar. /Klankosova.tv