Me zyrtarizimin e operacionit Frenkie de Jong gjatë merkatos së verës, spekulimet mediatike aluduan për një transferim potencial të Ivan Rakitic drejt Interit, por si mesfushori kroat ashtu edhe Barcelona tashmë shprehin vullnetin për të vijuar bashkëjetesën e tyre.
Mediat italiane raportuan një marrëveshje thuajse të mbyllur mes tre palëve të cituara, ku flitej për një transferim që do të lidhte Rakitic për tre vitet e ardhshme me ziklatërit e Interit me italianët që do të paguanin 40-45 milionë euro për kartonin e tij, por realiteti tani flet se mesfushori i klasit nënkampion bote me kombëtaren e Kroacisë dëshiron qëndrimin në Camp Nou.
Sikundër e ka përsëritur disa herë në daljet e fundit publike Rakitic synon të vijojë të luajë më fanellën e katalanëve dhe tashmë gjigandët spanjollë po punojnë për rinovimin e kontratës për numrin katër të tyre që sigurisht pritet të ketë përmirësime edhe në termat financiarë, por diçka e tillë nuk mund të ndodhë gjatë këtij sezoni për shkak të kufizimeve monetare.
Gjithsesi as klubi i Barcelonës dhe as kroati Rakitic nuk duket ta kenë me ngut një çështje të tillë me kontratën e lojtarit që është e vlefshme deri në 30 qershor të vitit 2021.Nëse ndonjë ofertë joshëse do të mbërrinte për të sigurisht që Rakitic do ta shqyrtonte, por gjasat janë që asnjë prej skuadrave europiane nuk do të bindë dot mesfushorin të lërë kampionët e La Ligas./Top Channel