Mesfushori i Barcelonës, Ivan Rakitic, ka thënë se nuk është thes me patate, prandaj ka kërkuar që të tregohet respekt ndaj tij në një kohë kur e ardhmja e tij në klubin katalonas nuk është e sigurt.
Për përfaqësuesin e Kroacisë vazhdon të përflitet se do të largohet nga Barça, pasi interesim për të kanë shfaqur Interi, Juventusi, Manchester Unitedi dhe Paris Saint-Germaini.
Duke qenë se e ardhmja e tij në Camp Nou nuk është aspak e sigurt, Rakitic ka folur për këtë në një intervistë me Mundo Deportivo.
“Unë nuk jam thes me patate. Unë vetë do të vendos për të ardhmen time”, tha Rakitic për gazetën katalonase.
“Dua të jem aty ku më vlerësojnë. Nëse do të jem këtu, atëherë jam i lumtur, nëse jo, atëherë do të jem aty ku vendosi unë”, shtoi ai.
Mesfushori veteran iu bashkua Barçës nga rivali spanjoll Sevilla më 2014. Që prej atëherë, Rakitic e ka fituar titullin në La Liga plot katër herë dhe e ka edhe një trofe në Ligën e Kampionëve. /Gazeta Express/