Rreth 180 sportistë nga 15 vende të ndryshme të botës do të garojnë nga data 9-16 qershor në edicionin e 14-të të garës më të vjetër në Ballkan “Rally Albania”.
Pjesë e trofeut mesdhetar “Mediterranean Rally Raid Trophy”, i cili përfshin garat e tre shteteve Marok-Greqi-Shqipëri, në “Rally Albania”, sportistët do të konkurrojnë mes tyre në 4 kategori Moto, Quad, Car, Ssv.
Itinerari me gjatësi prej rreth 2000 km do të përshkruajë Shqipërinë Outdoor, për 7 ditë nga veriu në jug, duke startuar në Tiranë dhe në vazhdim në Burrel, Peshkopi, Lurë, Pukë, Fierzë, Bulqizë, Librazhd, Pogradec, Ersekë, Përmet, Gjirokastër, Ksamil, Zagori, Borsh, Berat dhe Elbasan dhe duke prekur pothuajse të gjitha pasuritë natyrore dhe turistike vendase, shkruan ATSH.
Ky aktivitet do të kthehet në një ngjarje promovuese të Shqipërisë, për pjesëmarrësit e huaj dhe jo vetëm.
Këtë vit do të ketë dhe një hapësirë dedikuar fansave të motoçiklizmit, kjo fan zone do të ngrihet në qendër të sheshit “Nënë Tereza”.
Aty të gjithë dashamirësit do të mund të njihen nga afër me garuesit dhe mjetet, si dhe nën shoqërinë e tingujve të një programi artistik do të mund të kalojnë një mbrëmje mes miqve të motorëve.
Ceremonia e hapjes do të organizohet më 9 qershor në sheshin “Nënë Tereza”, më 10 qershor do të jetë fillimi i garës dhe më 16 qershor do të organizohet ndarja e çmimeve po në sheshin “Nënë Tereza”, Tiranë.