Kryeministri I Shqipërisë, Edi Rama, tha se viti i ardhshëm do të jetë ndryshe për bizneset dhe qytetarët e rajonit.
Gjatë fjalës në takimin për “Open Ballkan”, krah presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zave, Rama tha se fermerët, eksportuesit dhe importuesit nuk do të presin më nëpër kufij, pasi do të ketë shumë lehtësira për lëvizjen e tyre në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut. Madje kryeministri shqiptar potencoi se nuk do të ketë më stres dhe dhimbje koke.
“Ne po nënshkruajmë sot marrëveshje dypalëshe mes Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë e Serbisë, duke shënuar një hap përpara në lehtësimin e lëvizjes së mallrave dhe njerëzve. Në fushën e lëvizjes së njerëzve, ne sot nënshkruajmë marrëveshjen trepalëshe, duke bërë që qytetarët tanë të lejohen të qëndrojnë në vendet tona. Ne flasim për gjëra konkrete dhe po marrim hapa konkret përpara për të liberalizuar tregjet tona të punës, na duhet ta hapim rajonin. Në fushën e lirisë së lëvizjes së shërbimeve sot kemi bërë një hap të parë, duke përmirësuar ndërlidhjen, që do të thotë hapja e rrugës së shërbimeve elektronike për qytetarët tanë”, tha Rama.
“Ka edhe një gamë të gjerë shërbimesh, ku ne duhet të bashkëpunojmë. Duhet të ecim përpara drejt njohjes së ndërsjellë të operatorëve turistikë. Duhet të thellojmë bashkëpunimin për lëvizjen e lirë kapitale. Duhet të bëjmë ndryshime të mëtejshme të mendësisë për të kaluar nga klisheja e konkurrencës, te një treg i përbashkët. I kemi kërkuar BE-së që të eksplorojë bashkë me ne në disa fusha kyçe, ku ne të kemi qasje në novacion, kërkim, bujqësi, tregti, shërbime elektronike. Kemi ftuar në Samitin në Tiranë rektorë dhe dekanë të Universitetit të Bujqësisë të vendeve tona, që ata të krijojnë lidhje dhe bashkëpunim. Duhet të nisim një rrjet të ekspertëve të nivelit të lartë, për realizimin e marrëveshjeve të Ballkanit të Hapur dhe kërkoj që ky rrjet të mbështetet nga partnerët. Dua të theksoj se çfarë është pjesa më e rëndësishme e kësaj nisme. Ballkani i Hapur shërben për të injektuar dinamizëm në bashkëpunimin rajonal, qoftë mes nesh, apo të gjashtëve, në kuadër të tregut të përbashkët. Ky bashkëpunim është dypalësh ose trepalësh dhe synimi është zbatimi i shpejtë i lirive të tregut, që vendet tona të bashkohen me tregun e përbashkët të BE. Sot, nënshkrimi i marrëveshjeve të përgatitura me mjaft gatishmëri, shërbejnë për të përçuar mesazh shumë konkret te njerëzit, sidomos te fermerët, eksportuesit, importuesit, të cilët janë tashmë duke punuar në këtë hapësirë të përbashkët. Mesazhi është që me këto marrëveshje, 2022 do të jetë një epokë e re, fillesa e diçkaje krejt të ndryshme për ta, kur vjen fjala e shkuarjes nga pika A, te pika D, dhe për të kaluar nëpër kufij të ndryshëm. Bazuar në atë që do të bëjmë, shumë shpejt në fillim të vitit të ri, ata nuk do të përjetojnë më ato dhimbje koke e stres të pritjes në kufij. Gjithçka do të ecë mirë. Kjo ndërlidhje jo vetëm do të jetë për subjekte që tashmë operojnë, por edhe për të tjerë. Kjo hapësirë do të jetë edhe më dinamike… qarkullimi i mallrave i njerëzve është tashmë praktikë. I falënderoj Aleksandrin dhe Zoran dhe të tjerët që i janë bashkuar sot kësaj tryeze”, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.