Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, ka paralajmëruar më shumë investime kapitale në vitin 2024, raporton Ekonomia Online.
Në investimet kapitale që i ka përmendur Rama, përfshihen përfundimi i ndërtimit të Unazës së brendshme të qytetit, lidhja e Arbërisë me Pallatin e Rinisë, ndërtimi i tunelit në rrugën “Agim Ramadani” e ndërtimi i pjesës së dytë të rrugës “Jim Xhema”.
Ai ka paralajmëruar edhe ndërtimin e shkollave e çerdheve të reja. Rama ka thënë se vitin e ardhshëm do të ketë menaxhim më efikas të mbeturinave.
“Gjatë javës që po e lëmë pas u mblodhëm me të gjithë ekipin në njërin prej fshatrave më të bukur të Kryeqytetit për të përpiluar buxhetin që i adreson maksimalisht nevojat e kryeqytetasëve. Viti i ardhshëm do të jetë vit i investimeve kapitale, ku përfshihen përfundimi i ndërtimit të Unazës së brendshme të qytetit, e cila lidhë Arbërinë me Lakrishten, lidhja e Arbërisë me Pallatin e Rinisë, ndërtimi i tunelit në rrugën ‘Agim Ramadani’, ndërtimi i pjesës së dytë të rrugës ‘Jim Xhema’, sallës së madhe multifunksionale, ndërtimi i shkollave e çerdheve të reja, përmirësimi i tërësishëm i infrastrukturës rrugore brenda kryeqytetit, menaxhimi efikas i mbeturinave, e plot punë të tjera për #Prishtinënpraktike e të përjetimeve”, ka shkruar Rama.