Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i ka quajtur të pavërteta e të pakuptimta deklarimet e Ministrit të Kulturës, Hajrullah Çekut, rreth marrjes të së drejtës për organizmin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.
Rama ka thënë se ai në as një moment nuk i ka marrë meritat për suksesin e organizimit të Lojërave Mesdhetare, madje sipas tij, ai në secilin prononcim ka falënderuar publikisht dhe i ka dhënë meritat kryesore për këtë sukses Komitetit Olimpik të Kosovës.
Postimi i plotë i tij:
Me keqardhje kam dëgjuar akuzat e pavërteta e të pakuptimta të Ministrit të Kulturës, Rinisë e Sporteve, Hajrullah Çekut rreth marrjes të së drejtës për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.
Dua t’ua bëj të qartë qytetarëve të Republikës së Kosovës se unë në asnjë moment nuk kam marrë meritat për suksesin rreth organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Në asnjë prej deklarimeve të mia publike e private nuk kam thënë diçka të tillë.
Përkundrazi, në secilin prononcim kam falenderuar publikisht dhe i kam dhënë meritat kryesore për këtë sukses Komitetit Olimpik të Kosovës, në krye me Kryetarin Ismet Krasniqin dhe Sekretarin Besim Aliti. Po ashtu kam falenderuar Zyrën e Kryeministrit, ministritë përkatëse, Komitetin Olimpik të Shqipërisë dhe komunat tjera nënshkruese.
Prandaj, deklarimet e Ministrit Çeku janë të pavërteta dhe për keqardhje, në veçanti gjuha e ulët e përdorur nga një zyrtar i lartë, të cilit i është besuar përfaqësimi i kulturës sonë në nivel shtetëror.