Rama: Ballkani i Hapur do të vazhdojë

Prishtinë | 14 Nën 2022 | 16:16 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Ballkani i Hapur do të vazhdojë, pavarësisht dinamizmit të Procesit të Berlinit.

Ai ka theksuar se Ballkani i Hapur është një njësi jetësimi i Procesit të Berlinit, madje, bëri të ditur se janë duke punuar për përgatitjen e një samiti tjetër të Ballkanit të Hapur në Shqipëri.

Në mbledhjen e përbashkët për medie me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, Rama tha se Procesi i Berlinit nuk është i përjetshëm, ndërsa Ballkani i Hapur do të mbesë i tillë.

“ Ne po përgatisim një tjetër samit të Ballkanit të Hapur në Shqipëri dhe jemi të kënaqur që ka dhe vende të tjera integrale të këtij procesi. Këtu kam parasysh, Turqinë, Greqinë, Hungarinë, Italinë, kam parasysh vende të cilat ishin të pranishme fillimisht në samitin e bërë më parë dhe që tani kërkojnë të jenë në vazhdimësi për të krijuar atë sinergji të nevojshme edhe me kufijtë rreth e rrotull nesh. Më vjen jashtëzakonisht mirë po ashtu që ka rifilluar Procesi i Berlinit, ndër të tjera edhe sepse ka provuar se Ballkani i Hapur nuk është asgjë tjetër veçse një njësi jetësimi i Procesit të Berlinit. Çfarë kemi firmosur ne në Berlin? Kemi firmosur ato që ne i kishim firmosur më parë me njëri-tjetrin në Ballkanin e Hapur. Përse? Sepse marrëveshjet e Ballkanit të Hapur nuk janë asgjë tjetër veçse përshpejtim i Procesit të Berlinit… Në fund fare ne do të mbesim me “Ballkanin e Hapur”, pasi Procesi i Berlinit nuk është i përjetshëm, ndërsa Ballkani është i përjetshëm”, tha ai.

Ndërsa, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, DimtarKovaçevski, tha se Ballkani i Hapur nuk duhet të frikësojë askënd, pasi nuk është në kundërshtim me Procesin e Berlinit.

“Më vjen mirë që ajo që kemi firmosur në Berlin në kuadër të Procesi të Berlinit, tanimë kemi firmosur në iniciativën Ballkani i Hapur. Ballkani i Hapur nuk duhet askënd të frikësojë është ideja origjinale, jo vetëm e politikanëve, por edhe të bizneseve të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë…48 Ballkani i Hapur dhe Procesi i Berlinit nuk janë në kundërshtim mes veti, por janë procese kompatabile”, tha ai.

Në mbledhjen e përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut u nënshkruan 21 marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimi.

Ato prekin çështjen e integrimit të BE, krijimin e task-forcave të përbashkëta të sigurisë, implementimin e kontrollit të përbashkët kufitar në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Qafë-Thanë.

Gjithashtu janë përfshirë marrëveshje bashkëpunimi në fushën e ekonomisë, energjisë, arsimit dhe digjitalizimit.

Të ngjashme