Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias ka deklaruar në Bruksel se Greqia dhe Shqipëria kanë bërë hapa të mëdha në bisedimet për çështjet dypalëshe të zhvilluara këtë fundjavë në qytetin e Korçës.
Kotzias ka theksuar se ka informuar kolegët e Bashkimit Europian që janë tepër të interesuar për ecurinë e Shqipërisë, për takimin e Korçës si dhe atë të Kretës, duke i cilësuar negociatat si të suksesshme.
“Ramë dakord për çështje për të cilat kishte mosmarrëveshje dhe ishin të pazgjidhura për 70 vjet dhe kjo ka sjellë edhe si rezultat takimin që do të kenë në Samitin e Davosit të Zvicrës pasnesër kryeministrat Tsipras dhe Rama. Dëshiroj edhe një herë të shpreh publikisht kënaqësinë time për faktin se, në bazë të marrëveshjeve qe kemi bërë në Kretë, në paketën e çështjeve qe perballojne Greqia dhe Shqipëria, qeveria shqiptare kishte kurajë dhe përgjegjësi politike për të votuar dy ligje zbatuese, për sa i përket marrëveshjes qe kishte bërë me qeverinë greke në vitin 2009″, është shprehur kreu i diplomacisë greke.
Gjithashtu Koztias ka theksuar se ndërsa ndodhej në samit me homologët e tij europianë, në Dragot janë gjetur qysh ditën e parë gjatë punimeve të filluara, eshtrat e dy ushtarëve grekë dhe sipas tij, ky është një çast prekës për të gjithë të afërmit dhe për grekët kudo ata ndodhen, raporton TCH, transmeton Klan Kosova.
Koztias ka theksuar se vlerëson shumë faktin që më në fund qeveria shqiptare vazhdon me hapa të guximshme për të përmbushur ato për të cilat është rënë dakord, ashtu siç duhet të bëjë edhe pala greke.