Rama flet për tensionet në Kosovë dhe marrëdhënien me Kurtin: Ndërkombëtarët e dinë…

Prishtinë | 27 Sht 2021 | 22:50 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Edi Rama vizitoi ditën e sotme Kosovën, ku u takua me krerët politikë atje. Në emisionin “Open” Rama foli për tensionet në veri të Kosovës, ku u shpreh se edhe ndërkombëtarët e dinë se Kosova ka të drejtë, ndaj po punohet që situata të çtensionohet.

“Unë mendoj që panorama është shumë e qartë. Kosova ka të drejtë dhe kjo duhet zgjidhur me dialog. Nuk ka asnjë mekanizëm tjetër për ta zgjidhur. I gjithë komuniteti ndërkombëtar është i vetëdijshëm që Kosova ka të drejtë dhe po kërkojnë që situata të çtensionohet dhe palët të ulen në dialog”, tha Rama.

Përsa i përket marrëdhënieve me kryeministrin Albin Kurti, Rama u shpreh se me atë nuk ka marrëdhënie të ftohtë, por vetëm mosdakordësi për “Ballkanin e Hapur”.

“Marrëdheniet e ftohta janë një sajesë mediatike, pasi ne kemi marrëdhënie të vazhdueshme. Dihet që kemi një mosdakordësim për Ballkanin e Hapur, dhe sot vizituam Kosovën pas marrjes së mandatit të tretë si vizita e parë jashtë vendit dhe tema kryesore sot ishte çjuarja përpara e bashkëpunimit duke bërë një rivizitim të të gjitha marrëveshjeve dhe duke krijuar një Sekretariat të përbashkët në funskion të mbledhjes së 2 qeverive, që do të mbahet në Durrës në 10 ditët e fundit të nëntorit”, u shpreh kryeministri.

Të ngjashme