Rama fton qytetarët në protestë më 1 shtator kundër bllokimit të komunave

Prishtinë | 30 Gus 2026 | 12:17 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u ka bërë thirrje qytetarëve të Prishtinës dhe të gjithë Kosovës që t’i bashkohen protestës së paralajmëruar nga kryetarët e komunave më 1 shtator.

Protesta do të mbahet në orën 11:00, në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa Rama ka thënë se ajo organizohet kundër, siç pretendon ai, bllokimit të komunave dhe ndëshkimit të qytetarëve.

“Boll mo! Qytetarët nuk mund të ndëshkohen sepse nuk e kanë votuar Vetëvendosjen”, ka shkruar Rama.

Ai ka akuzuar Qeverinë Kurti se po ua bllokon komunave mjetet dhe investimet për shkak të rezultatit zgjedhor, duke thënë se paratë e mbledhura nga qytetarët përmes tatimeve duhet t’u kthehen atyre përmes investimeve në shkolla, çerdhe, rrugë, shëndetësi dhe projekte të tjera.

“Kryeqyteti është i qytetarëve të tij. Nuk është vend ku pushteti qendror zbras inate politike, komplekse dhe motive të dyshimta për mos me u zhvillu ky vend! Kur qytetarët ndëshkohen për mënyrën si votojnë, kur paratë e tyre bllokohen dhe pushteti tenton të centralizohet në një dorë, kjo është rruga drejt autokracisë. Na nuk kemi me leju këtë!  Prishtina është e Prishtinalive dhe e krejt Kosovës, dhe s’kemi me leju një njeri me plane e motive të dyshimta me nal zhvillimin e me përça një popull”, shkroi Rama.

Të ngjashme