Përparim Rama ia dhuron Ali Ahmetit “Çelësin e Qytetit”

Prishtinë | 17 Dhj 2024 | 14:56 | Nga Hasan Hoti

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur në takim kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, raporton Ekonomia Online.

Me këtë rast, kryetari Rama i ka dhuruar kryetarit të BDI-së “Çelësin e Qytetit”.

Rama, e ka quajtur hero të gjallë, kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Pas takimit që ka mbajtur me të ku i ka dhuruar edhe “Çelësin e Qytetit”, Rama ka deklaruar se është nderë për ta që Ahmeti viziton Prishtinën.

“Nder i madh për mua që sot e kemi një person kaq të madh, një hero, siç është Ali Ahmeti. Janë figura që jo vetëm që kanë sakrifikuar, por edhe kanë punuar për ta mbrojtur gjuhën tonë dhe flamurin tonë”, u shpreh Rama.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka thënë se Prishtina është vendlindja e tij e dytë.

“Është nder i madh që mua sot kryetari i Prishtinës më jep çelësin e komunës sime de nuk kam kursyer asgjë në të mirë të vendlindjes me aq sa kemi pasur mundësi dhe sot Kosova është shteti më i ri në Kontinentin e vjetër e që nuk ka qenë e lehtë por kjo është bërë me gjakun e derdhur. Çlirimin e bëm me aleatët tanë, SHBA, NATO dhe akoma proceset janë të pambyllura për të vazhduar aty ku e ka vendin nëpër institucionet euroatlantike”, u shpreh Ahmeti, teksa nuk pranoi ta komentojë futjen në listë të zezë të Artan Grubit.

“Unë sot jam nën komanda të tjetër kujt dhe komanda më thotë të largohemi”, u shpreh shkurt Ahmeti.

Të ngjashme