Luigji Soreca, kreu delegacionit të BE-së, në Tiranë, e shikon progres-raportin e komisionit Evropian, si një tjetër gur kilometrik, por për të ecur përpara duhet që të gjitha partitë të jenë të bashkuara për integrimin.
“Shqipëria ka arritur progres të rëndësishëm në fushat e përcaktuara nga Këshilli. KE i rekomandon këshillit që të çelen negociatat tani dhe pa kurrë-farë kushtëzimi. Vettingu ka ecur përpara duke nxjerrë më shumë se 140 vendime. Vendimi i KE-së është mbështetur në përparimin që i duhet një shteti për të çelur negociatat. Shqipëria duhet të vijojë që të luftojë krimin dhe nevoja për një konsensus kombëtar për integrimin duke tejkaluar polarizimin, për të treguar vullnet politik. Shqipëria ka ndërmarrë reforma të pa precedent. Ka ende shumë reforma për t’u bërë, por Shqipëria është gati për hapat e tjera”, u shpreh Luigi Soreca.
Kryeministri Edi Rama, e quajti Komisionin Evropian një makineri ferri, ndërsa progres-raportin, si një qëndrim objektiv, teknik të arritjeve të Shqipërisë.
Kryeministri Edi Rama u shpreh, “ Për ne nuk ka qenë një surprizë sepse kemi bërë me përpikmëri detyrat e shtëpisë! Ky është një progres-raport bazuar në fakte.”
Pa eufori për këtë rekomandim, kryeministri, si çelës të suksesit, shikon reformën në drejtësi.
Gatishmërisë së presidentit Ilir Meta, për një dekret shtyrës së datës së zgjedhjeve, i pari socialistëve i dha argument-at e refuzimit.
“Shumica PS, nuk ka asnjë pëlqim lidhur me asnjë diskutim, për shtyrjen e datës së zgjedhjeve, të prerë dhe të qartë në 30 qershor, nuk është çështja kush do të fitojë, por duhet të fitojë Shqipëria institucionale, nuk mund t’i nënshtrohet agjendave partiake të kujtdo qoftë. Nuk kemi datë për të negociuar dhe nuk kemi Kushtetutë për të anashkaluar”, tha në fjalën e tij kryeministri i vendit.
Pasi ka përdorur një epitet të ri për PD, kryeministri e bëri bashkëpërgjegjëse për suksesin apo dështimin në testin e këshillit të ministrave të BE-së.
“Me ndihmën e opozitës rrugore mund t’ia dalim. Nëse nuk do të kisha dyshime, në lidhje me perceptimin e lëvizjes rrugore të opozitës, do të thoja se Shqipërisë do t’i hapeshin 100% negociatat. Nëse opozita do t’i jepte një shans Shqipërisë. I vetmi element i panjohur është opozita e Shqipërisë”, shtoi gjithashtu Rama.
Top Channel