Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha sot në ceremoninë zyrtare të pritjes së medalistëve olimpikë, se medaljet nuk janë “të rëna nga qielli”, por janë rezultat i një rruge të re transformimesh që kanë nisur në mbështetje të sportit.
“Është kënaqësi e veçantë që jam sot këtu në këtë ceremoni të veçantë për të nderuar dy përfaqësues të skuadrës sonë olimpike të cilët i dhanë Shqipërisë edhe dy medaljet e para olimpike në historinë e saj. Por duhet të përfitoj nga rasti që të them disa fjalë lidhur me rrugëtimin e bërë deri këtu sepse këto medalje nuk janë të rëna nga qielli, por janë rezultat i një rruge të re transformimesh që kanë nisur në mbështetje të sportit dhe falë mundësisë që është krijuar për qeverinë me zgjedhjen e Fidel Yllit në krye të komunitetit olimpik shqiptar e që na dha një partner jashtëzakonisht pasionant dhe që ka kthyer marrëdhënien mes qeverisë dhe komunitetit në një marrëdhënie strategjike në funksion të një qëllim të madh dhe të përbashkët”, tha Rama.
Ndryshe, Chermen Valiev dhe Islam Dudaev ishin sportstët e mundjes që i sollën Shqipërisë medalje për herë të parë në histori.
Ata arritën të ngjiten në podin e fituesve të medaljes së bronztë në Lojërat Olimpike “Paris 2024,” një arritje që përfaqëson jo vetëm një sukses personal, por edhe një fitore për të gjithë Shqipërinë.