Pas betimit si kryetar i Prishtinës, Përparim Rama mbajti një fjalim para të pranishmëve në sallën e Kuvendit Komunal, raporton Ekonomia Online.
Ai theksoi se prioriteti i tij është të shërbejë qytetarët dhe të mos krijojë bllokada në kryeqytet, duke iu referuar bllokadës që kishte ndodhur më parë pas bllokimit të buxhetit të komunës,.
“Ne jemi të përkushtuar për të shërbyer qytetarëve e jo partive politike. Prandaj, e kemi për borxh të bashkohemi dhe të punojmë, të mos projektojmë kriza artificiale që lodhin qytetin, të mos krijojmë bllokada që e lodhin qytetin, por të veprojmë me përgjegjësi të përbashkët për të ardhmen tonë. Ne jemi këtu për qytetarët, sfidoni dhe kritikoni, kërkoni më shumë prej nesh, kështu bëhemi më të mirë. Kritika e sinqertë është motori i zhvillimit dhe udhëheqjes, gjithmonë do ta mirëpresim. Le të debatojmë kur duhet, por mos harrojmë kurrë se çfarë na bashkon, dashuria për Prishtinën dhe detyrimi për të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë”, tha Rama.
