Duke folur në një komunikim live në Facebook kryeministri Edi Rama ka njoftuar se duke nisur nga java e ardhshme do të zgjerohet orari i bërjes së pazarit, ndërsa nga 4 maj sipas kryeministrit do të nisë hapja e kategorisë së tretë të bizneseve që janë më të riskuar për përhapjen e Covid-19.
Megjithatë Rama është shprehur se pavarësisht këtyre lirive nuk do të jetë i njëjti normalitet si më parë pasi mundësia e infektimit të virusit do të ekzistojë.
“Duke kërkuar normalizimin duhet të ndajmë mendjen se kush e di për sa kohë normaliteti i ri nuk do të jetë normaliteti që kishim më parë, pasi jemi në një kohë të jashtëzakonshme. Duhet të kemi një sjellje të re secili në raport me sigurinë dhe do të duhet t’i imponohemi njëri tjetrit të gjitha ato kushte dhe rregulla që kërkon mbrojtja e normaliteti të ri për të mos u kthyer aty nga ku dolëm.” tha Rama.
Kryeministri gjithashtu është ndalur edhe tek një plan që ka qeveria për sa i përket turizmit në vendin tonë.
“Brenda gjysmës së parë të majit do të kemi planin për turizmin. Nuk do të lejojmë të degradojë gjendja . Çdo rritje shpejtësie mund të na kushtojë shumë, prandaj pas çdo hapi mund të tërheqim frenat e emergjencës nëse do të ketë rritje të rasteve.” tha Rama.
“Vendimmarrjet do të vijojnë që të jenë dinamike. Prandaj mos u qani se rregullat ndryshojnë shpesh. Nëse nuk do të kishim marrë masat dhe nëse nuk do ta kishim ulur kurbën nën parashikimin tonë më optimist, falë kësaj lufte, sot nuk do të mërziteshit pse kjo leje, autorizim dhe vërtetim, por do ta qan për shumë të vdekur dhe të plagosur në spitale” ka shtuar më pas kryeministri.