Edi Rama ka debatuar të enjten në mbrëmje për 2 30 minuta në emisionin e Blendi Fevziut. Lapsi.al e ka ndjekur duke nënvizuar pesë gafat e tij më të mëdha në këtë përballje
1-Në fund të emisionit Blendi Fevziu i citoi kryeministrit një kërkesë të Sali Berishës: “Le të bëjë testin e drogës si presidenti i Ukrahinës dhe nëse del i pastër, unë i tërheq të gjitha akuzat për të”.
Në vend të përgjigjej me po, jo ose ta injoronte si shumë pyetje të tjera, Edi Rama pranoi një gjë që e kishte kundërshtuar gjithmonë, vettingun e politikanëve për të Berishën dhe çiftin Meta. Pra me këtë dredhim inkoshient ai demostroi se më shumë i trembet testit të drogës, sesa skanimit të pronave dhe pasurive familjare.
2- Edi Rama i gjendur në vështirësi nga deklarata që lexoi Blerina Gjylamenti për blerjen me para në dorë të gazetarit të Bild, Peter Tiede, që bëri artikullin që e quante regjimin e tij si gangster, kryeministri tha se i kishte tërhequr veshin asaj për këto akuza. Me një fjalë ai na bëri të besojmë se deputetët akoma vazhdojnë të flasin në kokë të vet nga tribuna e PS. Së dyti ai i tregoi ndjekësve të tij se pasi i vë të akuzojnë nuk i mbron duke i lënë mbi shpinë barrën e shpikjeve që ka frymëzuar vetë.
3 – Kur gazetari Andi Tela e pyeti kryeministrin se si ka mundësi që e ka ndryshuar tre herë datën e shpallur publikisht për përfundimin e rrugës së Elbasanit, që po bëhet legjendë e një qeverisje jo efikase, pasi Rama vetë ka thënë një herë do të përfundojë në fund të 2018, një herë në mars të 2019 dhe pastaj në 17 maj, ai u përgjigj se projekti i saj është bërë aq keq, sa afatet janë të parashikueshme. “Për herë del nga ndonjë gjë e re sa edhe firma që po punon nuk mund të fajësohet për afatet” tha ai. Po atëhere ka një pyetje të thjeshtë: Pse kur qenka situatë kaq tragjike dhe kaq e paparashikueshme Rama me gojën e tij ka dhënë vetë tre afate të rreme?
4 –Gazetari Mentor Kikia i parashtroi shefit të qeverisë hamendësimin se mos marrëveshja e ndryshimit të kufijve kishte mbrapa Xhorxh Sorosin. Përgjigjja e tij qe qesharake: “Ju jeni edukuar me filmat e komunizmit prandaj në kokat tuaja gëlojnë shumë teori konspirative”.
Ideja se Soros apo i biri i miliadrerit spekulant mund ta ketë mbështetur idenë e coptimit të Kosovës nuk është e re. Askush nuk mund të vërë bast për vërtetësinë e saj, apo për të kundërtën. Në këtë kuptim Rama mund të ketë të drejtë se ajo mund të jetë edhe thjeshtë një teori konspirative. Por të thuash se teoritë konspirative anti Soros, që gëlojnë tek të gjithë konspiracionistët e botës, madje nga Trumpi deri tek Orbani, qenkan fabrikimie të Kinostudios Shqipëria e Re, në rastin më të mirë demostron një injorancë ulëritëse të një njeriu që nuk ka lexuar asgjë më shumë sesa personazhe si Sami Ameni që skiconte Neshat Tozaj.
5- Rama edhe sot në Opinion përsëriti fabulën se Ramush Haredinaj është një gënjeshtar për sa i përket peresionit të bërë në Berlin për taksën e Kosovës dhe po ashtu i qëndroi versionit se të gjithë kritikët që i thonë Hashim Thaçit tradhëtar janë gomerë. Natyrisht është e drejta e tij të mbajë qëndrimet që do me këdo, por me aleancat që ka zgjedhur duke u armiqësuar me Haredinajn dhe duke mos zbutur pozicionet me LDK, që herën e fundit i bojkotoi parlamentin, ai po bëhet kryeministri i parë i Shqipërisë që ka krijuar ndarje kaq të theksuar në Kosovë. Ai është bërë palë dhe po e humbet dita ditës mundësinë për të qenë një faktor përbashkues, siç bëri dikur me politikanët e Maqedonisë. Në “Opinion”, këtë të enjte, hodhi edhe një hap të sigurtë në rrugën e këtij dështimi.