Rama me thirrje urgjente Qeverisë: Prishtina nuk mund të mbahet peng, 10 objekte ende pa ngrohje për shkak të bllokimit të mjeteve

Prishtinë | 26 Tet 2026 | 09:59 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka bërë thirrje urgjente Qeverisë që t’i zhbllokojë mjetet buxhetore për projektin “Prishtina Public Buildings”, duke paralajmëruar se ndërprerja e punimeve në shkolla, çerdhe dhe objekte shëndetësore po rrezikon funksionalizimin e sistemeve të ngrohjes para dimrit.

Sipas Ramës, për shkak të bllokimit të mjeteve buxhetore dhe mosrealizimit të pagesave, punimet në 18 shkolla, çerdhe dhe objekte shëndetësore janë ndërprerë që nga 12 shtatori. Ai ka bërë të ditur se në 10 prej këtyre objekteve, sistemet e ngrohjes ende nuk janë funksionale.

Rama ka njoftuar se javën e kaluar i është drejtuar zyrtarisht ministrit të Financave, Hekuran Murati, me kërkesë urgjente për zhbllokimin e mjeteve për këtë projekt, i cili financohet në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

“Nuk ka asnjë justifikim që bllokadat financiare të vënë në rrezik shëndetin dhe sigurinë e fëmijëve tanë! Ministria e Financave duhet të veprojë menjëherë. Prishtina nuk mund të mbahet peng, e aq më pak fëmijët e saj!”, ka shkruar Rama.

Të ngjashme