Kryeministri Edi Rama ishte sot në Universitetin Bujqësor të Tiranës, në një event promovues për kartën e naftës për fermerët.
Mesazhi i tij për studentët ishte se në profesionin e fermerit mund të merrnin më shumë se sa do fitonin po të punonin jashtë shtetit, por sigurisht duhet që ta dinë ta shfrytëzojnë këtë mundësi.
Më tej Rama tha se synon që ta rrisë mbështetjen për fermerët nga 10 milionë euro që u prezantua sot, në 50 milionë euro deri në 2025.
“Masat që kemi marrë për ta stimuluar sektorin dhe shifrat e rritura në sektor janë historike sepse sot jemi në kushtet kur kemi jo më synim, por fakt, masat kyçe lehtësuese dhe mbështetëse që fermerët i kanë kërkuar që në fillim të ’90 kur e kuptuan që në këtë sistem të ri bujqësia nuk mund të trajtohet njësoj si gjithë të tjerët se ka nevojë për një aleancë të vazhdueshme mes fermerit dhe shtetit.
Ju them studentëve që ky është vendi për të marrë dijet e nevojshme dhe për të fituar me dije dhe punë shumë më tepër sesa një rrogë, duke u bërë një vlerë e shtuar për një sektor që do t’i ketë gjithmonë e më të mëdha nevojat për burime njerëzore”, deklaroi ai. /tch