Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka sqaruar banorët e Ulpianës lidhur me propozimin për rregullimin e hapësirës përreth fontanës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka siguruar se fontana nuk do të preket, ndërsa parkingu parashihet të zhvendoset nëntokë, duke krijuar më shumë hapësirë për gjelbërim dhe fusha sportive.
Ai ka përmendur edhe mundësinë e ndërtimit të një objekti për akomodimin e sportistëve gjatë Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, nëse paraqitet nevoja.
“Objekti i banimit propozohet vetëm nëse nevojitet për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”. Konviktet nuk kanë kapacitet për të gjithë sportistët dhe stafin shoqërues. Për këtë arsye është menduar një objekt akomodimi pa destinim komercial, në harmoni me arkitekturën e lagjes. Pas Lojërave, hapësira mbetet per banorët!”, ka shkruar Rama.
Megjithatë, Rama ka theksuar se gjithçka është vetëm propozim dhe se nuk do të vazhdohet pa mbështetjen e banorëve të Ulpianës.
Sipas tij, fillimisht plani do të diskutohet me qytetarët dhe, nëse merr mbështetjen e tyre, do të dërgohet për votim në Kuvendin Komunal.