Kuvendi i Maqedonisë së Veriut të shtunën ka miratuar propozimin francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, që do t’i hapë rrugën procesit të integrimit evropian.
Këtë e ka mirëpritur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka thënë se negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian s’kanë më asnjë pengesë.
“Negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian s’kanë më asnjë pengesë! Parlamenti i Maqedonisë së Veriut sapo ia ka ndezur dritën jeshile propozimit të fundit francez. Pengmarrja absurde e Shqipërisë ka marrë fund. U deshën plot 3 vite të stërmundimshme nga vendimmarrja e Këshillit Europian për t’i hapur rrugë negociatave, që vargmali i pengesave artificiale të ngritura përpara Shqipërisë të rrafshohet tërësisht. 3 vite të tëra top futbolli nëpër fushat e interesave të politikës së brendshme të vendeve anëtare – pa harruar edhe xhagajdurët e mëmëdheut, grata e non grata, që tërë këto vite nuk i lanë dy gurë bashkë, për ta bllokuar Shqipërinë për llogari të interesave mizerabël të politikës së tyre pa fe, pa atdhe, pa din e as iman. 3 vite me gjëma të pandara, nga tërmeti tek pandemia dhe tani mes pasojave të luftës në Ukrainë mbi çmimin e jetesës këtu e kudo në botë. Këto sfida të jashtëzakonshme kanë vënë në sprovë jo thjesht qeverinë, po karakterin tonë si vend, si bashkësi njerëzish dhe si shumicë qeverisëse natyrisht”, ka shkruar Rama.