Rama: Nuk kam qenë kurrë më i trazuar pas një fitoreje sa këtë herë

Prishtinë | 02 Sht 2021 | 10:49 | Nga Ekonomia Online

Në fjalimin hapës të mbledhjes së Asamblesë Kombëtare për zgjedhjen e parlamentit të ri, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka folur për sfidat që sjell fitorja e mandatit të tretë.

Rama tha se e ndjen veten të trazuar pas një sfide politike, si asnjëherë më parë. Kryeministri shqiptar tutje tha se fitoret mund të bëjnë të humbasësh sensin e vetëkorrigjimit, ndaj është i rëndësishëm qëndrimi me këmbë në tokë.

“Fituam mandatin e parë tetë vjet të shkuara, u konfirmuam në të dytin pas 4 vjetësh dhe si akush më parë në historinë shqiptare, u rikonfirmuam këtë vit për të tretën herë radhazi. Kjo është edhe fitorja jonë më e vështirë që kemi arritur. Thjesht fakti, që jemi ne të parët që arrijmë, flet vetë për veçorinë dhe për vështirësinë e posaçme të kësaj fitoreje. Por kjo, është edhe fitorja më e vështirë për t’u merituar. Ndryshe nga sporti, ku fitoret meritohen kur arrihen, në politikë fitoret meritohen vetëm pasi arrihen. Fitoret e zgjedhjeve janë mundësira për të zhvilluar beteja të vazhdueshme, për t’iu kthyer zgjedhësve me punë dhe rezultate bindëse kredinë e lartë të përfaqësimit që ata iu japin borxh fituesve me votën e tyre. Herën e katërt do ta kemi më të vështirë se të tretën, por nuk e luan topi se detyra ndaj atyre që na besuan dhe ndaj Shqipërisë është të bëjmë të pamundurën për t’ia dalë që të rikonfirmohemi përsëri pas 4 vjetësh. Nuk kam qenë asnjëherë më i trazuar pas një sfide politike se sa kësaj here”.

“Sa më shumë gara fiton, aq më shumë rrezikon të humbasësh sensin e vetëkorrigjimit. Dehja nga fitoret, rënia e dëshirës për të mësuar, nënvlerësimi i rivalëve, shpërfillja ndaj dobësive, qorrimi ndaj boshllëqeve, shurdhimi ndaj kritikave janë tipare karakteristikë e fituesve që kthehen në humbës. Është momenti të ulim këmbët në tokë dhe të shtrijmë sytë në horizont. Është koha të gjejmë fuqi të reja për të parë veten, individualisht, për të parë skuadrën tonë si kolektiv, por edhe për të parë fitoren me sy kritik. Na duhet një forcë e re, një pasion i ri politik, një kapërcim i ri i vetvetes, për ta ngjitur më lart Shqipërinë”, tha Rama.

Të ngjashme