Rama paralajmëron padi ndaj deputetit Egzon Azemi për shpifje

Prishtinë | 14 Tet 2026 | 17:12 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar padi civile ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi, duke i kërkuar të tërheqë akuzat që i cilëson të pabazuara, t’i përgënjeshtrojë publikisht dhe të kërkojë falje.

Përmes një postimi, Rama ka bërë të ditur se i ka dërguar Azemit një shkresë, përmes së cilës i kërkon që këto veprime t’i ndërmarrë brenda shtatë ditësh. Në të kundërtën, ai ka paralajmëruar padi civile për shpifje dhe kompensim të dëmit jomaterial.

Kryetari i Prishtinës ka kritikuar deklaratat e deputetit, duke theksuar se asnjë politikan apo subjekt politik nuk mund të marrë rolin e prokurorisë dhe gjykatës në përcaktimin e fajësisë.

“Drejtësia nuk ndahet në zyrat e partive politike. Fajësia nuk përcaktohet me statuse në Facebook dhe askush nuk shpallet fajtor sipas dëshirave të pushtetit”, ka shkruar Rama.

Ai ka theksuar se nuk i frikësohet asnjë hetimi apo procesi ligjor, por ka kundërshtuar atë që e cilëson si shpifje dhe linçim publik në funksion të përplasjeve politike.

“Drejtësia nuk është pronë e Vetëvendosjes. Mandati i deputetit nuk është licencë për të shpifur”, ka përfunduar Rama në reagimin e tij.

Të ngjashme