Kryeministri shqiptar. Edi Rama, u prit mbrëmjen e së premtes në Beograd nga presidenti Aleksandër Vuçiç.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, Rama u shpreh se rruga e vetme është jo rruga e rritjes se tensioneve por rruga e dialogut dhe e dakordësise mbi marrëveshjen që buron nga plani franko-gjerman.
“Ne jemi mjaftueshmërisht mësuar që t’i ndajmë opinionet tona në mënyrë të drejtpërdrejtë, të biem dakord që nuk biem dakord por kjo s’na ndalon bashkëpunimin dhe paqen. Për të punuar dhe bashkëpunuar konkretisht duhet që në momente si ky, e është një moment specifik, të evitojmë që ndarja e gjithë pikëpamjeve në publik të përkeqësojë klimën. Me kaq mjafton”, tha Rama, raporton Euronews.
Sipas tij rruga e vetme është jo rruga e rritjes se tensioneve por rruga e dialogut dhe e dakordësisë mbi marrëveshjen që buron nga plani franko-gjerman.
“Nuk dua të përsëris ne Beograd çfarë kam thënë në Prishtinë, por dua të shtoj se askush nuk duhet të nënvlerësojë përshkallëzimin e tensionit. Të mos humbasim kohë dhe energji të pafundme me pasoja të pakthyeshme”, tha Rama.
Kurse presidenti serb, Vuçiq, deklaroi se i njeh pikat e planit franko-gjerman, të propozuara për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, por se nuk mund të vazhdojë të bëjë më tepër.
“Në tre pikat më të rëndësishme kemi zbatuar dy. Nuk vazhdojmë me të treten se duhet t’i bëjë dhe Kosova. Ne duam paqe, nuk është vetëm deklaratë, është diçka që po punojmë. Si në Tiranë dhe në Prishtinë do ketë prej tyre që e shohin Serbinë si e keqja. Dua që të dini se situata është e vështirë në Serbi lidhur me këtë çështje. Nuk do ju them ju se sa të vështira janë problemet që po përballemi. S’kam pasur problem të takoja Albin Kurtin. Kam folur me Thaçin, Haradinajn, Hotin, jam munduar të gjejmë zgjidhje. Më pyesin kur do ta takoj Albin Kurtin, por as ata që janë më afër tij nuk e dinë”, u shpreh Vuçiq.
Ndërkohë, ai shtoi se kanë diskutuar për Open Balkan gjithashtu, ndërsa sqaroi se draftin e propozuar nga Rama për shtensionimin e gjendjes nuk e ka parë.
“Do t’i referohesha marrëveshjes së Brukselit dhe planit franko-gjerman që thotë se asociacioni duhet të krijohet në bazë të marrëveshjeve të firmosura. Nuk kërkojmë më shumë se aq. Asociacioni duhet të formohet, duhet të ishte bërë 10 vite më parë, por nuk ka vullnet për ta bërë”, deklaroi Vuçiq.
Kryeministri i Shqipërisë më herët gjatë ditës së sotme ka vizituar Sarajevën dhe Podgoricën, ndërsa dje ka qëndruar në Shkup dhe Prishtinë.
Rama po viziton rajonin si pjesë e përgatitjeve për Procesin e Berlinit, të cilin Tirana do ta mirëpresë në tetor.