Rama për 35-vjetorin e referendumit: Kosova po ndërtonte institucionet dhe artikulonte kërkesën për pavarësi

Prishtinë | 26 Sht 2026 | 16:58 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka përkujtuar 35-vjetorin e referendumit për pavarësinë e Kosovës, i cili u mbajt më 26–30 shtator 1991.

Rama ka thënë se qytetarët e Kosovës përmes votës shprehën vullnetin politik për një Kosovë të pavarur dhe sovrane.

“Më 26–30 shtator 1991, qytetarët e Kosovës folën me votë, Kosova shtet i pavarur dhe sovran”, ka shkruar Rama.

Ai ka vlerësuar se referendumi u zhvillua në një prej periudhave më të vështira të historisë së Kosovës dhe përfaqësonte kërkesën e qytetarëve për të vendosur vetë për të ardhmen e vendit.

“Në një prej periudhave më të vështira të historisë sonë, referendumi ishte shprehje e vullnetit politik të një populli që kërkonte të vendoste vetë për të ardhmen e tij”, ka deklaruar Rama.

Sipas tij, referendumi i vitit 1991 erdhi pas Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 dhe Kushtetutës së Kaçanikut të 7 Shtatorit 1990.

“Ai erdhi pas Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 dhe Kushtetutës së Kaçanikut të 7 Shtatorit 1990, duke forcuar institucionalisht projektin politik për Republikën e Kosovës. Referendumi i shtatorit 1991 u bë më pas prelud i zgjedhjeve të para shumëpartiake të 24 majit 1992”, ka shkruar ai.

Rama ka përmendur edhe rolin e presidentit historik Ibrahim Rugova në periudhën e ndërtimit të institucioneve dhe artikulimit të kërkesës së Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci.

“Ishte koha kur, nën udhëheqjen politike të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, Kosova po ndërtonte institucionet dhe po artikulonte para botës kërkesën e saj për liri, pavarësi dhe demokraci”, thuhet në postimin e tij.

Ai ka thënë se 35 vjet pas referendumit, kjo ngjarje duhet të kujtohet si pjesë e procesit të ndërtimit të shtetit të Kosovës.

“Sot, 35 vjet më vonë, e kujtojmë këtë referendum jo vetëm si një datë të historisë, por si dëshmi se Republika e Kosovës u ndërtua mbi vullnetin, qëndresën dhe sakrificën e qytetarëve të saj”, ka shkruar Rama.

Në fund, ai ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike për brezat e ardhshëm.

“Kujtesa historike është përgjegjësi ndaj brezave që e ndërtuan shtetin dhe ndaj brezave që do ta çojnë atë përpara”, ka shtuar Rama.

Të ngjashme