Kryeministri Edi Rama foli për marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë në “Ilva Now”, ku përmendi mini-shengenin ballkanik si një mundësi për të hequr kufijtë midis dy shteteve Shqipëri –Kosovë.
Ai tha për shengenin rajonal se si ide ka qenë e ish-kryeministrit Fatos Nano.
“Shengenin e parë rajonal e ka artikuluar Fatos Nano në një kohë që dukej çmenduri. Unë e kam rifutur sepse u krijuan kushtet. Shengeni rajonal nënkupton heqje kufiri midis Shqipërisë dhe Kosovës, por sa ta marrin vesh ata të Kosovës do të kenë kaluar vite dhe do të ketë humbur kohë Kosova”, tha Rama, ndërsa shtoi se ndër liderët e shteteve pjesëtarë ka qenë pikërisht ai që e ka shtyrë si ide mini shengenin.
“Minishengeni është ide që e kam shtyrë unë i pari dhe kam dëshmitarë për këtë. Që kur jemi mbledhur në Berlin herën e parë”, tha Rama.
Rama tha për dialogun në Kosovë se duhet të përbëjë prioritet, në mënyrë që Kosova të ngrihet në nivel në aspektin ekonomik dhe social.
“Duhet të shohim si do të shkojë procesi në Kosovë, për mua e ardhmja e Kosovës pa vendosmërinë për të mbaruar dialogun është e mjegullt jo në sensin e pavarësisë, por në sensin e kapaciteteve që mund të vihen në dispozicion për ta ngritur Kosovën në nivel tjetër në aspektin ekonomik dhe social”, tha ai.
I pyetur nga gazetarja Ilva Tare në lidhje me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, Rama nuk pranoi të deklarohet para datës 26 prill, që shënon edhe ditën pas zgjedhjeve në Shqipëri.
“Nuk kam asnjë koment në lidhje me Albin Kurtin deri më 26 prill. Pastaj mund të flas”, tha Rama.