Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po ecin në drejtimin e duhur.
Edhe pse sipas tij, gjërat po lëvizin ngadalë është mirë që po diskutohet.
Rama në një intervistë për mediumin malazez A Plus TV, ka thënë se me Vuçiqin kanë pikëpamjet të kundërta sa i përket çështjes së Kosovës.
“Presidenti Vuçiç dhe unë kemi gjithmonë qëndrime shumë të forta, pikëpamje krejtësisht të ndryshme për çështjen e Kosovës, të cilën ai e quan Kosovë dhe Metohi. Për mua është shteti i lirë, demokratik, sovran i Kosovës. Mirëpo, nëse situata është e tillë për momentin, mendoj se ndërkohë gjërat, po përparojnë, gjërat po ndryshojnë. Gjërat po ecin në drejtimin e duhur. Ngadalë, por ata po lëvizin. Dikur nuk kishim komunikim dhe ishte e pamundur të imagjinohej që serbët dhe shqiptarët të ishin në të njëjtën tryezë. Pra, do të marrë kohë, do të marrë kohë, por kjo është në rregull”, ka thënë Rama.