Rama pret në zyre qytetarin me të cilin u përballë për shkollën në Kalabri: Derisa s’ka vendim për masë të përkohshme, puna vazhdon

Prishtinë | 10 Kor 2024 | 11:08 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur sot në zyre qytetarin Refik Rafuna, me të cilin u përballë dje derisa po vendosej gurthemeli për shkollën “Kalabria”. Rafuna pretendon se një pjesë e tokës ku po ndërtohet shkolla është në pronësi të tij.

Rama ka thënë se i ka shpjeguar Rafunës së pronat në të cilat ka filluar ndërtimi i shkollës së re në Lagjen Kalabria janë të regjistruara në emër të Kryeqytetit.

“Po ashtu, sipas të gjitha planeve rregullative deri më sot, ky lokacion me pronat përkatëse ka qenë i destinuar për objekt shkollor për të plotësuar nevojat e banorëve të Lagjes Kalabria. E informova se janë një numër i procedurave ligjore nëpër të cilat kalojnë projektet për të ardhur deri te ndërtimi, dhe kjo shkollë ka kaluar nëpër të gjitha këto procedura”, ka deklaruar Rama.

Ndërkohë, Rafuna ka kërkuar që të ndalen punimet, mirëpo Rama ka thënë se nuk ka vendim gjyqësor për këtë dhe se puna për ndërtimin e shkollës po vazhdon sipas planit.

“Z. Rafuna na informoi se rasti është në procedurë gjyqësore për pretendimet e tij rreth një pjese të kësaj prone dhe që kërkesa e tij ishte që të ndalen punimet. Kryeqyteti nuk i mohon askujt të drejtën e ushtrimit të ankesës apo inicimit të rastit gjyqësor, por derisa nuk ka vendim gjyqësor për vendosjen e masës së përkohshme (e cila i është refuzuar palës) puna në ndërtimin e shkollës në lagjen “Kalabria” po vazhdon sipas planit pasi Kryeqyteti ka kryer të gjitha procedurat për ndërtimin e shkollës në atë lokacion në pajtim me planin rregullues”, ka shkruar Rama.

Të ngjashme