Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur në vizitë veprimtarin shqiptaro-amerikan, Jim Xhema, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast, kryetari Rama i ndahu mirënjohje veprimtarit Xhema për atdhedashurinë dhe punën e palodhshme për çlirimin e Kosovës.
Kryetari Rama tha se ndjehet falënderues ndaj veprimtarit Xhema për kontributin e tij që ka dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Rama tha se për të nderuar veprën e tij komuna e Prishtinës ka vendosur që ta emërojë rrugën A në emrin e tij.
“Është sot nder i veçantë edhe kënaqësi me e pasë këtu veprimtarin e heroin e kohërave tona. Siç e dini, zotëri Xhema ka kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe është marrë me këtë aspekt gjithë jetën e tij. Kemi nderin sot që kemi atdhetarin tonë këtu. Ne kemi vendosur që ta nderojmë dhe përjetësojmë veprën e tij nëpërmjet rrugës A, që tash rruga A thirret ‘Jim Xhema’ ”.
Xhema bashkë me kryetarin e Prishtinës kujtuan vizitën historike të senatorit Dole në vitin 1990 në Prishtinë.
“Moment ky i njohur si “pikë kthesë për lirinë e Kosovës, që ia hapi sytë e bashkësisë ndërkombëtare mbi abuzimet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut”, sepse, qysh atëherë, zoti Dole u bë zë i fuqishëm në politikën amerikane për çështjen e Kosovës”.
“Senatori Dole u angazhua deri aty, sa falë ndikimit të drejtpërdrejtë të Jim Xhema, në vitin 1992, Presidenti i asokohshëm amerikan, George Bush ia shpalli ”vijën e kuqe” Beogradit, paralajmërimin e qartë të qeverisë amerikane që të mos e provojë agresionin në Kosovë”, ka thënë Rama.
Në nderim të veprës së tij, Komuna e Prishtinës ka organizuar një varg aktivitetesh gjatë ditës së martë.
Agjenda:
– 07:15 – Pritja e z. Xhema në Aeroportin “Adem Jashari”
– 09:30 – Takim në Komunën e Prishtinës
– 10:10 – Homazhe te varri i ish-presidentit Rugova
– 11:30 – Inspektim dhe zbulim i emërtimit të rrugës “Jim Xhema”.